“Arti i Zanave” një biznes social në mbështetje të grave të dhunuara

Në një nga rrugicat e vjetra të lagjes “Gjuhadol”, në qytetin e Shkodrës, gjendet “Arti i Zanave”, një biznes social që ofron ushqim tradicional, kryesisht për vizitorët e huaj. Një pjesë e grave, që punojnë në këtë biznes social, kanë përjetuar dhunë në familjet e tyre. “Arti i Zanave” është pjesë e programit antidhunë që ofrohet nga Qendra e Gruas “Hapat e Lehtë”, thotë Denada Shpuza, drejtuese e kësaj qendre.

“Arti i Zanave” është biznes social i Qendrës së Gruas “Hapat e Lehtë” e cila, krahas shërbimeve të tjera që ofron është edhe shërbimi antidhunë në mbështetje të grave dhe vajzave viktima të dhunës në familje”, thotë ajo.

Drejtuesja e Qendrës së Gruas “Hapat e Lehtë”, Denada Shpuza, thotë se gratë sjellin përvojën e tyre në përgatitjen e ushqimeve të thjeshta të traditës me produkte lokale, kryesisht të marra nga Veriu i Shqipërisë dhe të prodhuara nga gra dhe vajza, të cilat janë mbështetur përmes projekteve të ndryshme. Të ardhurat që përfitohen nga biznesi social “Arti i Zanave” përdoren për mbështetjen e grave nga shërbimi antidhunë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2023 u regjistruan 4698 raste të dhunës në familje. Por, ky numër mendohet të jetë edhe më i madh, pasi shumë gra, ende nuk janë ndërgjegjësuar për denoncimin e dhunës.

Vetëm 2700 gra kërkuan gjatë vitit të kaluar urdhër mbrojtje nga gjykatat. Gjelina, nënë e dy vajzave, e cila nuk dëshiroi të identifikohet me emrin e saj të vërtetë, i tha Zërit të Amerikës se pasojat e dhunës vazhdojnë të ndjehen në jetën e saj.

“Gjithçka ndryshoi në jetën time kur erdhi në jetë vajza e dytë. Filloi të vinte vonë në shtëpi, thuajse nuk fliste me mua. Pas rreth 4 muajsh, nisi të vinte i dehur. Shpesh e binin shokët. Kur i thashë se po shkatërronte familjen dhe jetën e vajzave, më kërcënoi dhe një natë më goditi. Ky ishte fillimi i dhunës që zgjati gati një vit, derisa një natë banorët e pallatit lajmëruan policinë. Erdhën dhe e morën, kontrolluan shtëpinë dhe gjetën një revole pa leje. Pas kësaj unë mbeta në rrugë të madhe, me dy vajza të vogla, pa punë, pa të ardhura dhe pa ndihmën e askujt”, thotë ajo.

Gjystja është një nga gratë e punësuara në biznesin social “Arti i Zanave”. Ajo i tha Zërit të Amerikës se jeta nuk është e lehtë për gratë, ndaj është e nevojshme që ato të punësohen.

“Unë kam një vit, një vit e gjysëm që kam ardhur tek “Arti i Zanave”. Kam ardhur për nevoja. Këto më krijuan kushtet për punësim dhe unë jam shumë e kënaqur. Deri tani jemi shumë të kënaqura. Ne gatuajmë gjëra tradicionale, që turistave ju pëlqejnë shumë. Janë shumë të kënaqur. Edhe si staf pune jemi shumë të komunikueshme me njëra-tjetrën”.

Ardhur nga zona të ndryshme të Veriut të Shqipërisë, gratë e biznesit social “Arti i Zanave” sjellin përvoja të ndryshme nga jeta e tyre. Gjustina i tha Zërit të Amerikës se gratë e dhunuara i bashkon nevoja për mbështetje me punësim dhe strehim.

“Unë kam qenë në punë me shkëputje, herë në një vend e herë në një tjetër. Prandaj u drejtova tek “Arti i Zanave” për punë ku tani punoj si kuzhiniere për të huajt më shumë”.

Ndërsa Lezina i tha Zërit të Amerikës se gratë viktima të dhunës e kanë të nevojshme të punësohen.

“ Kam një vit që kam ardhur këtu tek “Arti i Zanave”. Kam pasur nevojë për të punu dhe këtu më kanë ofruar punë. Gatuaj dhe bëj punë çfarë të jetë e nevojshme. Për ne është shumë e nevojshme të punojmë për të mbajtur familjen me jetu”.

Një pjesë e grave të dhunuara e kanë të vështirë të dalin nga spiralja e dhunës në familje për shkak të vështirësive ekonomike, mungesës së një vendi pune dhe strehimit. Ana Mila, e cila punon në qendrën sociale “Arti i Zanave” thotë se vetëm fuqizimi ekonomik mund ta shpëtojë gruan nga dhuna.

“ Pika më kryesore është fuqizimi ekonomik i grave mbasi kjo është edhe problematika kryesore që ato i detyron të jetojnë prej vitesh të tëra nën dhunë sepse nuk kanë mundësi t’i largohen dhunës për shkak të kushteve ekonomike. Prandaj, qëllimi kryesor i bisnesit social “Arti i Zanave” është që t’i japin mundësi fuqizimit ekonomik të grave. Jo vetëm personave që punojnë pranë “Artit të Zanave” apo personave që mbështeten me të ardhurat e biznesit social pranë shërbimit antidhunë, por edhe grave dhe vajzave të cilave ju blejmë produktet në zonat rurale të katër bashkive veriore”.

“Arti i Zanave” është edhe një qendër trajnimi profesional për gratë dhe vajzat e dhunuara. Një numër i madh prej tyre kanë kaluar përmes përvojës së këtij biznesi social. Drejtuesja e qendrës “Hapat e Lehtë”, Denada Shpuza, thotë se është koha të rishikohet legjislacioni që ka të bëjë me kurset e formimit profesional, kryesisht

për gratë dhe vajzat, pasi ligji parashikon që këto kurse u ofrohen vetëm grave dhe vajzave që kanë arsimin e detyrueshëm 9-të vjeçar.

“Në një kohë që, një pjesë e grave dhe vajzave, të cilat janë target i dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, për shkak të mentalitetit me të cilin ato janë rritur dhe edukuar, por edhe mentalitetit me të cilin kanë ngritur familjen, nuk i ka lejuar për të vazhduar shkollën”.

“Arti i Zanave”, me ushqimet e thjeshta të traditës shqiptare, nuk është thjeshtë një biznes social që mbështet gratë që kanë përjetuar dhunë në familje. Ai është edhe një kujtesë për ata që e vizitojnë për të kuptuar çfarë duhet të bëjë shoqëria për këto gra.

Go to TOP