Kosova

Arthur Schwartz, miku i Grenellit: Engel nuk ndikoi te Obama që ta ndihmonte Kosovën, është i dështuar në Ballkan

Arthur Schwartz, një mik i Ambasadorit Richard Grenell dhe i Familjes Trump, ka deklaruar se Eliot Engel nuk ka mundur të ndikonte te Obama për ta ndihmuar Kosovën dhe se historia e veprimeve të tij në Ballkan është një histori e dështimit të plotë.

“Pse do të duhej që Grenell ta dëgjonte Engel? Engel nuk ndikoi te Obama që ta ndihmonte Kosovën. Partia e tij nuk e dëgjon kurrë atë për çështjet e Ballkanit. Historia e veprimeve të tij në Ballkan është një histori e dështimit të plotë”, ka thënë Shwartz.

Schwartz, 47 vjeç, është konsulent i njohur amerikan dhe mik e këshilltar i djalit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump Jr.

Këto komente, ai i ka bërë në Twitter, duke iu përgjigjur një Këshilltari të Kryeministrit të Kosovës, i cili kishte shpërndarë deklaratën e sotme te Engel dhe kishte sugjeruar që Grenell do të duhej ta dëgjonte atë.

Presidenti Trump, po ashtu, siç dihet, nuk ka konsideratë të madhe për Eliot Engel, pasi që Engel, si Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, së bashku me Adam Schiff, Kryetarin e Komisionit për Inteligjencë dhe Jerry Nadaler, Kryetarin e Komisionit për Legjislacion, kishte ndihmuar në procedurën e tentim shkarkimit të Trump. Gjithsesi, Trump e kishte fituar këtë betejë, pasi që Senati Amerikan qartazi kishte hedhur poshtë këtë iniciativë.

Eliot Engel, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, në një deklaratë të sotme, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar me taktikat e Administratës së Presidentit Trump me Prishtinën, ndërsa kishte konstatuar se SHBA i ka kontribuar krizës në Kosovë.

“Departamenti Amerikan i Shtetit ka kohë që i bën thirrje Kosovës të heqë taksën ndaj Serbisë. Por, kjo Administratë ka vendosur ndëshkime ekonomike vetëm disa javë pas formimit të Qeverisë së Albin Kurtit. Në vend se ta linte Qeverinë e re të merrej me pandeminë, me agjencitë dhe të niste procedura të brendshme, SHBA-ja ka kontribuar në krizën politike në Prishtinë, për shkak të taksës ndaj Serbisë”, thuhet në deklaratën e Engel.

Sipas tij, kur një demokraci e vogël “detyrohet me dhunë” të bëjë diçka, ajo është “vepër maltretimi dhe jo vepër e partnerit të pjekur”.

Engel, sidoqoftë, ka shtuar se do të vazhdojë të punojë me çdo Qeveri që populli i Kosovës zgjedh tani dhe në të ardhmen.