KULTURË

Artefaktet mbesin të shpërndara, Instituti s’ka hapësirë për sistemim

Guri i mermertë, që njihet si stelë e që është gjetur në muajin korrik në fshatin Peqan, rreth 5 kilometra nga Suhareka, paraqet një figurë vajze të gravuar në mermer.

Institucionet qendrore ende s’e kanë bërë studimin e këtij artefakti. Sipas studimeve preliminare që ia ka bërë arkeologu Naser Ferri në bazë të mbishkrimit, nëna ia ka kushtuar stelën vajzës së saj 15-vjeçare. Kjo gjetje gjendet në atë që është Muze i qytetit. Është vetëm një nga gjetjet e rastit, së cilës Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk mund t’i bëjë vend për shkak të hapësirës.

Rrjedhimisht stela as nuk mund të studiohet dhe të vlerësohet nëse ia vlen që të jetë pjesë e ndonjë ekspozite qendrore të shtetit sa i përket arkeologjisë apo mund të përdoret edhe për ndonjë ekspozitë që shpërfaq kulturën arkeologjike të ndonjë rajoni. Halli i Institutit Arkeologjik është mungesa e hapësirës. Gjetje si stela shihen në hyrje të katit përdhese të Muzeut Kombëtar të Kosovës, objekti i të cilit shfrytëzohet edhe nga Instituti Arkeologjik. Artefakte të tjera si gjyle topi të gurta gjenden në oborrin e Muzeut. IAK-ja nuk ka hapësirë për t’i sistemuar ato.

Për dallim prej Suharekës, disa gjetje arkeologjike që janë në hyrjen e Shtëpisë së Kulturës në Klinë gjenden në një ambient që ngjan me ndonjë ballkon. Janë krejtësisht pa përkujdesje profesionale. Madje nganjëherë shfrytëzohen edhe si objekte, ku njerëzit ulen për të pirë kafe.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se janë në hall sa i përket sistemit të gjetjeve arkeologjike.

“Me marrë e me lanë në oborr të Muzeut nuk është zgjidhje e as t’i lëmë për shembull në parkun arkeologjik ‘Ulpiana’ nuk është zgjidhje. Më mirë është t’i lëmë atje një herë. I kemi disa gjetje të lokalitetit arkeologjik të Dresnikut në hyrje të muzeut. Nuk kemi ku t’i lëmë”, ka thënë Rexha.

Sipas tij, gjetjet që janë nëpër komuna kanë njëfarë mbikëqyrjeje të përkohshme “.

Leave a Reply

Your email address will not be published.