Kombëtare

Artan Hoxha: Kryegjyshi Botëror ka marrë disa kërcënime

Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha, solli në kujtesë festën e sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën e bektashinjve në Tiranë në mars 2018, kur një celulë terroriste iraniane tashmë e zbuluar nga autoritetet, do të bënte sulm terrorist.

Artan Hoxha i cili ka qenë prezent në Kryegjyshatë, tha se në atë kohë kishte pasur informacione që nuk janë bërë publike deri më tani, edhe për një valë kërcënimesh ndaj kryegjyshit të bektashinjve, Baba Mondi, arsye për të cilën ai aktivitet u shoqërua me masa të larta të policisë dhe anti-terrorit. Hoxha tha se hetimet e kryera në bashkëpunim edhe me autoritetet partnere mundën të zbërthejnë të gjithë celulën që drejtohej nga forcat sekrete të regjimit iranian, QUDS.

“Ngjarja që e ekspozoi më shumë Iranin, ishte festa e Sulltan Nevruzit, kam qenë atë ditë në kryegjyshatën botërore, pasi rrjedh nga zona që e ka atë besim. Garda sapo kishte ardhur, sigurisht policia është prezentë sa herë ka aktivitete. Por kishte edhe agjentë të anti-terrorit, gjë që nuk ishte normale, për më tepër që komuniteti bektashinj nuk ka pasur të tilla probleme. Në pritje të vinte presidenti Ilir Meta, njoftohemi që disa civilë, skuadra e anti-terrorit, kanë ndaluar dy persona. Dy personat i kishim parë nuk i kishim kushtuar rëndësi, ata ishin mes dhjetëra kameramanëve, dhe binin në sy se ishin të moshuar, rreth 60 vjeç.

Ata ishin me kamera në lëvizje jo të pozicionuar si të tjerët. I morën dhe i larguan. Njoftojnë zyrtarët e kryegjyshatës se ata që kanë ardhur nga Irani me ftesë tuajën, i kanë shoqëruar në polici. Ata kishin shfrytëzuar ftesat e marra nga Kryegjyshata, dhe këtë festë. Në momentet e para nuk u dhanë shumë detaje nga policia, por u tha që po hetoheshin nga anti-terrori dhe se për ta ishin interesuar shërbimet e vendeve partnere. Ata kanë hyrë legalisht në aeroportin e Rinasit, me ftesë.

Para se të ndodhte ngjarja, policia ishte njoftuar për disa kërcënime që i ishin bërë kryegjyshit botëror, nga persona të lidhur me Iranin. Dhe të gjitha këto bënë që të nisnin përgjime ambientale dhe me vëzhgim në terren, të mbajnë në vëzhgim një grup të madh personash, derisa mbas 18 muajsh, nga marsi 2018, deri sot, u bënë publike të dhënat me hetimin. Pritej që shërbimet sekrete të Iranit të përdornin të gjitha mundësitë që do i krijoheshin”, tha Artan Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.