SHËNDETËSIA

Arrijnë edhe mijëra doza vaksina nga kontrata me ‘Pfizer’

Mbrëmjen e së hënës kanë arritur në Kosovë edhe 52 mijë e 650 doza të vaksinës “Pfizer” nga kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë me këtë kompani. 

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë duke thënë se çdo të hënë Kosova pranon doza të vaksinës nga kontrata me “Pfizer”.

“Mbrëmë janë pranuar 52 mijë e 650 doza të kësaj vaksine”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Sipas MSH-së ne stoqe janë rreth 400 mijë vaksina “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Numri i qytetarëve të vaksinuar me nga dy doza të vaksinës kundër COVID-19 ka arritur në 505 mijë e 188.

Ndërsa numri total i dozave të administruara është 1 milion e 283 mijë e 840.

Ministria e Shëndetësisë bazuar në raportin e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka njoftuar se të hënën janë regjistruar edhe 3 raste të vdekjes, ndërsa 23 qytetarë kanë rezultuar pozitiv.

Duke marrë trajtim për COVID-19 në spitalet e Kosovës janë 288 pacientë, 208 prej tyre me oksigjeno-terapi dhe 29 në gjendje të rënduar shëndetësore, në kujdes intensiv mjekësor.

Kujtojmë se Kosova ka nënshkruar kontratë me “Pfizer” për mbi 1.2 milionë vaksina kundër COVID-19. Kurse vaksinat “AstraZeneca”, Kosova i ka pranuar si donacion nga mekanizmi COVAX dhe shtetet europiane.