Arrestohet i dyshuari që vodhi 200 mijë euro në teqenë e Gjakovës

Policia në Gjakovë njofton se gjatë ditës së djeshme është arrestuar një 48-vjeçar me inicialet Xh. Th., i cili dyshohet se me datë 22.05.2023 kishte depërtuar brenda teqesë duke vjedhur nga aty dy kasaforta me para të gatshme në vlerë të konsiderueshme, disa çelësa personal dhe disa stoli të arit.

Organet e rendit njoftojnë se deri te identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit kishte ardhur pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, ku janë shikuar qindra orë video incizime nga lokacione të ndryshme dhe janë analizuar shumë prova.

Po ashtu bëhet e ditur se me vendim të gjykatës është kryer kontroll në objektet e banimit të të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë me një karikator, gjashtë copë fishekë, disa stoli ari, rrobe, telefona dhe disa gjëra tjera të cilat dyshohet se janë përdorur me rastin e kryerjes së vjedhjes.

I dyshuari është ndalur në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast penal për hetim “Vjedhje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”’.

Kujtojmë se në shtëpinë e Shehut të Teqesë së Madhe të Gjakovës, më 22 maj u vodhën hiç më pak se 200 mijë euro.

Lidhur me rastin kishin reaguar nga Teqeja, ku u tha se paratë e grumbulluara do të përdoreshin për rindërtimin e Teqesë në Marash të Prizrenit.

Po ashtu kërkohej edhe zbardhja e rastit nga ana e organeve të rendit dhe të drejtësisë.

“Shuma e parave dhe gjërave të tjera me vlerë, e grabitur në Teqe, ka qenë pjesë e kursimeve disavjeçare të Shehut te Teqesë së Madhe, familjes Shehu dhe të besimtarëve, me qëllim të investimit në rindërtimin përfundimtar të objektit të Teqesë se Madhe ne Marash-Hisar të Prizrenit”, thuhej në komunikatë.

Go to TOP