Kosova

Arrestohet i dyshuari në Kaçanik e pranoi se kreu 11 vjedhje brenda dy muajve

Foto nga Arkiva

Policia ka arrestuar një 28-vjeçar në Kaçanik, i cili gjatë procesit të hetimeve në prezencën e avokatit ka pranuar se ka kryer gjithsej 11 vjedhje të kryera nga ai nëpër shtëpi e lokale gjatë periudhës dhjetor 2020 dhe janar 2021.

Përmes një komunikate për medie Policia e Kosovës ka bërë të ditur se puna e suksesshme operative e hetuesëve të Stacionit Policor të Kaçanikut, ka rezultuar me zbardhjen e një sërë rastesh të vjedhjeve të ndryshme në qytet dhe rrethinën e Kaçanikut gjatë muajit dhjetor 2020 dhe muajit janar 2021.

“Lidhur me këto raste, hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, J.B. (m/Kosovar /28 vj.) i cili gjatë procesit të hetimeve e në prezencë të avokatit ka pranuar gjithsej 11 vepra të kryera nga ai në shtëpia dhe lokale të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, pas arrestimit të të dyshuarit, gjatë kontrollit të kryer në disa lokacione ku i dyshuari kishte qëndruar kohëve të fundit , policia ka gjetur dhe konfiskuar shumë pajisje, vegla pune dhe gjësende tjera si veshje të ndryshme, këpucë dhe gjëra ushqimore, të cilat i dyshuari kishte fshehur. “Janë gjetur dhe konfiskuar edhe mjete si shufra metalike dhe kaçavida ,mjete të cilat janë përdorur për depërtim në shtëpitë dhe lokalet e ndryshme ku janë kryer vjedhjet. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari lirohet dhe lënda shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.