Kosova

Arrestohen dy persona pas përleshjes me armë në një restorant në Llapnasellë

Tre persona janë lënduar mbrëmë një restorant në Llapnasellë, si pasojë e një përleshje ku janë përdorur edhe armët.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Agron Borovci. Borovci ka shtuar se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, është raportuar se në një restorant në Llapnasellë, ka pasur një mosmarrëveshje të momentit lidhur me shërbimin përtej kufizimeve të orarit në mes të disa personave dhe personelit të lokalit që për pasojë ka derivuar në një zënkë mes tyre ku është përdorur edhe arma e zjarrit. Menjëherë pas raportimit, njësitë relevante policore të mbështetura edhe nga specialist për hetimin e rasteve të tilla si dhe atyre të ekzaminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha verimet e nevojshme policore me qëllim ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, ka thënë Borovci.

Borovci ka shtuar se nga hetimi preliminar janë nxjerrë në pah dyshimet se të dyshuarit për të cilët dyshohet të ishin nën ndikim të alkoolit përderisa ishin si klient brenda restorantit në fjalë, për shkak të refuzimit të shërbimit nga ana e personelit të restorantit kanë eskaluar me veprimet e tyre, dhe për pasojë njëri nga ta nga jashtë restorantit ka shtënë me armë zjarri.

“Si rezultat i këtij veprimi, tre persona janë lënduar dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor. Dy nga ta janë liruar nga qendra mjekësore menjëherë pas trajtimit të marrë, përderisa njëri vazhdon trajtimin e mëtejmë. Ndërkohë që policia ka punuar në ndriçimin e rrethanave të rastit ka identifikuar katër të dyshuar lidhur me rastin”, ka thënë Borovci.

Ai ka shtuar se dy nga të dyshuarit janë arrestuar përderisa dy të tjerë të identifikuar aktualisht janë në arrati. Të arrestuarve Xh. B, mashkull 57 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe A. L, mashkull 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, u është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje për procedim të mëtejmë.