Kombëtare

Arrestohen 2 persona dhe bastisen shtëpi të protestuesve kundër hidrocentraleve në Shtërpcë

Dy persona janë arrestuar mesditën e së premtes lidhur me protestat e organizuara nga banorët e komunës së Shtërpcës, të cilët kundërshtuan ndërtimin e hidrocentraleve.

Në bazë të informatave që ka siguruar KTV-ja, të arrestuarve u është shqiptuar masa e paraburgimit për 48 orë. Gjatë aksionit të Policisë, janë bastisur edhe disa shtëpi të banorëve te kësaj komune, te cilët kanë marrë pjesë në protesta javë më parë, raporton KTV.

Duke shpjeguar gjithë rastin se si ka ndodhur, banori i Shtërpcës, Avdi Tahiri thotë se këtë e përjetoi shumë rëndë.

Tutje, ai tha se pavarësisht insistimit të tij për të kuptuar arsyen e bastisjes, nuk i është treguar.

Në të njëjtën kohë, shtëpia i është bastisur edhe Hamdi Rushitit, 61-vjeçar, banor i fshatit Biti e Epërme.

Derisa ka kërkuar përkrahje nga avokati i popullit, ai këtë veprim e konsideron “veprim të kohës së Millosheviqit”.

Banorët këtë veprim e shohin si presion për ndaljen e protestave. Ata thonë se pavarësisht pengesave nga institucionet, ata s’do të ndalen së protestuari, deri në ndalje të kësaj veprimtarie.

Në një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, të siguruar nga televizioni, shkruan se kontrollimi i shtëpive dhe objekteve përcjellëse i 6 personave bëhet me arsyetimin se ekziston dyshimi që këta persona kanë përdorur armë apo mjete të rrezikshme, si dhe zjarrvënie.

E ketë veprim, nga organet e drejtësisë, nuk e ka mirëpritur shoqëria civile, derisa akuzoi institucionet se po i favorizon interesat e kompanive e jo të banorëve.

Policia e Kosovës gjatë protestave, në kundërshtim të hidrocentralit në Shtërpcë muaj më parë, ka arrestuar edhe disa persona. Banorët e komunës së Shtërpcës disa herë kanë protestuar, kundër futjes së lumit Lepenc në gypa.