Kosova

Arrestohen dy persona për ryshfet

Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona me inicialet V.B. dhe R.C. me vendbanim në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale pranim i ryshfetit në sektorin privat.

Gjatë angazhimeve policore në këtë rast, përmes rrugëve operative është arritur të sigurohen informacione se të dyshuarit në fjalë–ish punëtor të një ish-ndërmarrje publike, e cila është privatizuar, janë duke u kërkuar dhe marrë ryshfet nga 50 euro, ish-punëtorëve apo familjarëve të tyre, kinse për dorëzimin e dokumenteve në Agjencinë e Kosovës për Privatizim për aplikim, për të përfituar 20%, pa autorizim paraprak.

Te njëri nga personat e arrestuar është gjetur edhe kartëmonedha, e cila ishte evidentuar paraprakisht, si masë simulimi.

Të dyshuarit V.B dhe R.C. janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, i caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit u caktohet masa e ndalimit për 48 orë.