Kosova

Arkeologu Mehmetaj: Liqeni i Badovcit është trashëgimi arkeologjike

Në kohën kur debati për ndërtimet përreth Liqenit të Badovcit është në kulm, arkeologu Haxhi Mehmetaj ka sjellë në vëmendje se ai duhet të mbrohet e hulumtohet si trashëgimi arkeologjike. Për ta konfirmuar këtë, ka kujtuar disa prej gjetjeve të rëndësishme që janë bërë aty, para më shumë se një gjysmëshekulli. Ndër do edhe gjurmët e vendbanimit parahistorik.

“Kur po ndërtohej penda e liqenit të Badocit për ujë të pijes, në vitet gjashtëdhjeta të shekullit XX u gjeten gjurmët e një vendbanimi të periudhës parahistorike të mijëvjeçarit të shtatë para lindjes së Krishtit (rreth 9000 vjet i vjetër). Vendbanimi përfaqësohet nga tri sëpata guri dhe nga gjurmë të blozës së shtresimeve arkeologjike”, ka shkruar Mehmetaj, në një shkrim të shkurtër, të cilin ua ka dërguar mediave të dielën pasdite, raporton Koha Ditore. Sipas tij, sëpatat janë fenomen për studimin e periudhave më të lashta të historisë së njerëzimit pasi që janë shumë të rralla.

“Sëpatat e gjetura i takojnë sëpatave të tipit të Lepenski Virit (vend zbulim në grykën e Gjerdapit), dhe dëshmojnë për përfaqësimin e epokës së proteneolitit, neolitit pa qeramikë, përkatësisht një faze ndërmjetësues në mes të mezolitit dhe të neolitit të hershëm”, ka shkruar arkeologu.

Por gjetjet nuk përfundojnë me kaq.

“Edhe në shtratin e liqenit të Badocit sikurse në rrethinën e liqenit gjatë gërmimeve arkeologjike dhe vëzhgimeve të terrenit, janë gjetur dëshmi të periudhës së bronzit, periudhës së antikitetit dhe të mesjetës”, ka shkruar ai.

Arkeologu me përvojë tash në pension, shkrimit ia ka bashkëngjitur edhe fotografinë e njërit prej artefakteve gjetura në Badoc. Bëhet fjalë për byzylykun nga pasta e qelqit që daton prej shekullit X pas Krishtit.

Këto kërkime arkeologjike, sipas arkeologut me përvojë, janë masazh i qartë.

“Kanë dëshmuar që liqeni i Badocit më rrethinë është trashëgimi arkeologjike e cila duhet të hulumtohet dhe të mbrohet”, ka thënë Mehmetaj.