Kosova

Arifi: Shumë zyrtarë për qasje në dokumente zyrtare nuk e njohin ligjin

Jeton Arifi, drejtor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, e ka pranuar se shumë zyrtarë të qeverisë, të angazhuar në pozitë zyrtari për qasje në dokumentet zyrtare, nuk janë në njohuri të dispozitave ligjore.

“Fakti që deri dje zyra e kryeministër nuk ka pasur mekanizëm detyrues, i ka bërë zyrtarët mospërfillës të ligjit. Tashmë kur të gjithë janë ndërgjegjësuar që Agjencia ka mekanizëm për shqiptim gjobe, gatishmëria për të bashkëpunuar është rritur dukshëm”, ka thënë ai në “Express Intervistën” e KTV-së.

Agjencia që e drejton Arifi ka marrë kompetenca shtesë gjatë korrikut të vitit të kaluar. Asaj i është dhënë mandat shtesë për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për qasje në dokumente zyrtare.

“Jemi autoritet, ku mund të apelohet mosjetësimi i një të drejte për qasje në dokumente publike, që mund të ushtrohet prej secilit qytetar të Kosovës”, ka thënë ai.

Arifi ka bërë të ditur se institucioni i drejtuar prej tij e ka të drejtën për shqiptim gjobash.

“Fuqizimi i institucionit tonë është bërë përmes dhënies së të drejtës për të shqiptuar gjoba ndaj institucioneve publike, të cilat nuk ofrojnë qasje në dokumente publike që konsiderohen të hapura”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se secili qytetar ka të drejtë për qasje në dokumente publike.

“Ligi parasheh që çdo qytetar, jo vetëm, gazetarët dhe shoqëria civile, të ketë të drejtën për qasje në dokumente publike që mund të bëhet përmes një kërkese. Normalisht çdo institucion publik është i obliguar me ligj që të vaktojë dy nivele zyrtarësh për t’i shërbyer qytetarëve për qasje në dokumente”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.