Bota

Arabia Saudite heq goditjet e kamxhikut për marrëdhëniet jashtë martesore dhe personat që konsumojnë alkool

Raportimet nga Arabia Saudite thonë se vendi po anulon dënimin me goditje kamxhiku si pjesë e reformimit në të drejtave të njeriut.

Masa pritet të zëvendësohet me dënime burgu ose gjobë, sipas një dokumenti të lëshuar së fundmi nga gjykata e lartë e vendit, raporton agjencia Reuters.

“Vendimi është një shtojcë e zgjerimit të të drejtave të njeriut të nisura nën kujdesin e mbretit Salman, me mbikëqyrjen e Princit të Kurorës Mohammed Bin Salman”, thuhet në dokument.

Vendi nuk ka një sistem të kodifikuar të përshtatur me Ligjin Islamik, dhe gjykatësit individualë kanë pushtetin për të interpretuar tekstet fetare në dhënien e dënimeve.

Goditjet e kamxhikut aplikohen në vend për dënime të shumë shkeljeve, duke përfshirë konsumin e alkoolit apo pasjen e një lidhjeje jashtë-martesore. Në disa raste është aplikuar dhe për komente publike të papërshtatshme.

Grupet e të drejtave thonë se dënimi zakonisht kryhet me një thupër, me goditje në kurriz në publik. Por kjo mund të shkaktojë përveç plagëve në lëkurë, edhe dëmtim të nervave, infeksione, traumë psikologjike apo dhe vdekje.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.