Kosova

Apostolova e zhgënjyer që Kuvendi nuk po i ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, është shprehur thellësisht e zhgënjyer me mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e së enjtes, Kuvendi i Kosovës dështoi sërish që të ratifikojë marrëveshjet që konsiderohet se kanë vlerë më shumë se 300 milionë euro.

“Thellësisht e zhgënjyer me dështimin e deputetëve për të ratifikuar edhe njëherë marrëveshjet ndërkombëtare. Përplasjet politike të përfaqësuesve të popullit të Kosovës po i privojnë qytetarët nga përfitimi prej fondeve dhe përkrahjeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian”, ka shkruar ajo në Twitter.

Edhe të enjten, ratifikimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Fjala është për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Pas këtij dështimi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kërkoi që deputetëve t’u mundësohet të votohet edhe online.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483