Kosova

Apostolova: BE-ja nuk qëndron prapa aktakuzës së Speciales ndaj Thaçit

Përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se nuk beson që Bashkimi Evropian qëndron prapa aktakuzës së Dhomave të Specializuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Ajo në DESKU-n e Kohës ka thënë se Prokuroria e Specializuar është organ i pavarur dhe duhet të qëndrojë i tillë.

Apostolova ka shtuar se edhe pas aktakuzave, dialogu me Serbinë po vazhdon, duke shtuar se për personalitet që marrin pjesë në këtë proces, vendosë Kushtetuta.

“Në bazë të saj caktohen njerëzit që e përfaqësojnë Kosovën në dialog, sigurisht që kryeministri Hoti mund të shoqërohet nga kushdo që dëshiron. Pra nuk është e shëndetshme të kombinosh ose t’i lidhësh këto dy çështje, por kur flasim për Dhomat e Specializuara dhe refleksionin që ka në Kosovë, dua t’i bëj disa komente, sepse fatkeqësisht kemi parë tashmë një përpjekje për shfuqizim të këtij ligji dhe ishte i bërë në një mënyrë të pahijshme” ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se iniciativa për shfuqizimin e Speciales në vitin 2018 ishte gabim i madh.

Sipas saj, të gjithë ata që lobuan për një gjë të tillë do të duhej të dinin se çfarë mesazhi po përcillte Kosova në sytë e botës, duke shtuar se nuk ishte befasues reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Unë mendoj se nuk ishte aspak befasues reagimi i gjithë neve, i gjithë partnerëve ndërkombëtarë në faktin se ky ishte një gabim shumë i madh, dhe është po ashtu gabim perceptimi në Kosovë se ky gjyq po i targeton UÇK-në, dhe ajo që e bën është tejet e rëndësishme dhe e kemi mbështetur të gjithë partnerët ndërkombëtarë, si miqtë tuaj. Por kjo nuk është një përgjegjësi kolektive ajo e cila po kërkon gjykata. Ajo po kërkon përgjegjësi individuale të disa njerëzve”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, aktakuzat e Speciales nuk nënkuptojnë që personi është i fajshëm.

Ajo e ka quajtur të rrezikshëm perceptimin se Bashkimi Evropian përmes kësaj gjykata po ndjekë persona të caktuar, ose po e targeton UÇK-në.

“Jo ne nuk jemi duke e bërë, janë vetëm individë që duhet të përgjigjen për aktet e tyre në atë periudhë kohore”, ka thënë ajo.

Duke folur për ambientin, ajo ka thënë se është nevoja që legjislacioni të përmirësohet dhe kjo nuk është bërë për një kohë të gjatë.

“Ju e dini se moto e komisionit të ri evropian është mjedisi. Do t’ ju jap një shembull se si do të implementohet kjo në Kosovë veçanërisht. Vizita e parë e përfaqësuesit tonë ishte e lidhur direkt me vizitën e termocentralit të Kosovës, ku ai zyrtarisht inauguroi donacionin tonë, që është 75 milionë euro”, ka thënë ajo.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.