Kosova

A po “plaçkiten” qytetarët nga Western Union?

Në Kosovë Western Union përfaqësohet nga Unioni Financiar Prishtinë, e cila është agjent tregtar i të parës. Nëpërmjet saj shumë qytetarë të Kosovës e përdorin për dërgim të shpejtë të parave. Më së shumti këtë e shfrytëzon diaspora kosovare, duke e parë këtë si një zgjidhje më të shpejt për të dërguar para nga të gjitha vendet e botës – shkruan Kosova.info

Por kosovarët siç duket po e pësojnë nga kjo formë e dërgesës së parave, me shuma edhe më të mëdha  se sa shpenzimet e trasfereve dhe komisionit. Raste të shumta kemi kur qytetarët dërgojnë para në monedha të ndryshme dhe ato konvertohen ne euro, duke marrë për baze kursin e këmbimit valutor.

Kursi valutor po del të jetë edhe më i shtrenjtë se sa shpenzimet e trasfereve dhe komisioni për dërgesa. Kjo ka ndodhur në zyrat e Western Unionit në Kosovë, qytetarë të shumtë janë ankuar për ndalesa të mëdha në llogaritje të kursit valutor. Kjo duket qartë në dokumentin të cilin e kemi siguruar. Aty shihet se si klienti ka paguar më shumë nga këmbimi valutor, se sa nga të gjitha shpenzimet e tjera të transferit të parave.

Nga shuma e dërguar prej 1000 dollarësh kanadez, klienti ka paguar 38,00 dollarë kanadez dhe përveç kësaj pagese, atij i ndalen shuma të hollash edhe nga kursi i këmbimit valutor. Nga 962 dollarë kanadez sa i bije t’i marrë, nëse konvertohen në euro, sipas kursit të këmbimit në ditën kur klienti ka tërhequr paratë që ishte 0.6420, ato konvertohen ne  617.60 EURO. Megjithatë klienti merr vetëm 580.20, dhe i ndalen edhe 37.40 euro, kështu që klientit i bie të paguaj dy tarifa: tarifa e parë e komisionit dhe transferit që është shuma prej 38,00 dollarësh kanadez, si dhe shuma prej 37.40 euro duke u thirrur në kursin e këmbimit.

Rasti i njëjtë duket që ka ndodhur edhe me një transfer nga Zvicra. Nga shuma në 1988 CHF, nga konvertimi në euro nëpërmjet Western Union-it, klienti ka marrë 1718 Euro. Nëse bazohemi në kursin e këmbimit ditor, kjo shumë në euro konvertohet në 1828.96 euro, e ku përpos shpenzimeve të transferit, atij i janë ndalur edhe 110.96 Euro nga kursi i këmbimit.

Në të gjeturat e Kosova.info-s gjatë hulumtimit, është vërtetuar nëse kursi valutor është edhe në faqen zyrtare të Union Net, por kjo faqe zyrtare nuk ka publike askund kursin valutore, prandaj edhe klientët nuk kanë assesi të informohen për shumën e ndalur nga Western Unioni në bazë të kursit të këmbimit. I vetmi njoftim është ky në faqen zyrtare:

 “Western Union gjithashtu përfiton edhe nga këmbimi valutor. Kur zgjidhni një transfertë të parave, krahasoni me kujdes tarifën e transferit dhe kursin e këmbimit. Tarifat, kurset e këmbimit mund të ndryshojnë sipas brendit, kanalit të dërgimit dhe vendndodhjes bazuar në një numër faktorësh. Tarifat dhe normat i nënshtrohen ndryshimit pa njoftim.”

Të kontaktuar nga Kosova.info, nga Union Net, është kthyer kjo përgjigje nëpërmjet së cilës mohohen keqpërdorimet:

“Unioni Financiar Prishtinë operon në pajtueshmëri të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Kosovë si dhe  standardet dhe politikat e Western Union, shërbimet e produktet e të cilit ofron në Kosovë.

Sistemi i transfertave të Western Union, përcaktimi i tarifave të shërbimeve apo edhe i kursi i këmbimit  (në rastet kur ka një këmbim për shkak të monedhës së ndryshme të pagesës ndaj asaj të dërgimit) bëhet ekskluzivisht nga ana e Western Union dhe nuk lejon në asnjë rast ndryshime nga partnerët ose Agjentët (siç është Unioni Financiar Prishtinë).

Western Union i kushton rëndësi të madhe transparencës me klientin dhe palët e tjera. Përveç tjerash, në secilin transfer të mjeteve, klienti informohet paraprakisht si për tarifat ashtu dhe kursin e këmbimit të përdorur ndërmjet valutave të ndryshme (në rastin kur pagesa bëhet në një monedhe tjetër nga ajo e dërguara), andaj klienti dërgues e ka të drejtën të miratojë ose të refuzojë kryerjen e shërbimit. Pra klienti dërgues ka qenë në dijeni të plotë të shumës që do të pranojë klienti në Kosovë dhe ka autorizuar realizimin e transaksionit.”

Në shkrimet e ardhshme do t’ju sjellim edhe fakte tjera në lidhje me tarifat të cilat dyshohet se nuk po përputhen me ato të Western Union dhe Union Net.

Për korrektësi, Kosova.info e ka kontaktuar edhe Bankën Qendrore të Kosovës, por nga kjo e fundit nuk është kthyer ende asnjë përgjigje në lidhje me këto raportime./Kosova.info/

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

//dooloust.net/4/3473483