Kosova

Gjykata anulon dënimin më burgim të përjetshëm për të akuzuarin T.L., ia shqipton atë me 30 vjet burgim

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të pandehurit T.L. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 09.11.2020, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.

Të akuzuarit për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”  nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës,  dënimin më burgim të përjetshëm i është zëvendësuar më atë prej 30 vjet burgim.

Gjykata e Apelit shqyrtoi rrethanat lehtësuese dhe rënduese të cilat i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, dhe vlerësoi se në rastin konkret, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij, e të cilat rrethana parashihen në nenin 70 paragrafi 3, pika 3.6, 3.10, dhe 3.11 të KPRK-së. Nisur nga këto Gjykata vlerësoi se edhe më këtë sanksion penal, mund të arrihet qëllimi i dënimit, i përcaktuar me ligj.