Kosova

Ankohet Petkoviqi: Ministrit serb iu ndalua të hynte në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se ministri serb i Rinisë dhe Sportit, Vanja Udoviçiq u ndalua të hyjë në Kosovë.

Petkoviq është ankuar përmes një deklarate, ku thotë se njoftimi për moslejimin e tij në Kosovë, u dërgua pas mesnate.

Ministri serb kishte planifikuar të fliste në universitetin në Mitrovicën e Veriut për të dhuruar bursa dhe më pas planifikonte ta vizitojë Qendrën për Ekologji dhe Zhvillim Sportiv në Zubin Potok.

Petkoviq thotë se ministri serb u ndalua pa arsye, ndërsa thotë se zyrtari i qeverisë serbe kishte njoftuar paraprakisht për vizitën.

“Por përkundër kësaj Prishtina në mënyrë të njëanshme dhe me dëshirë vendosi që të mos e lejojë ta zhvillonte vizitën”, thuhet në deklaratën e Petkoviq.