Kosova

Ankesat e diplomatëve në vendimet e Pacollit

Janë ankuar diplomatë me përvojë që Behgjet Pacolli ka vendosur t’i tërheqë në Prishtinë pas mbipopullimit të misioneve diplomatike me militantë partiakë. Për ta është e pakuptueshme urgjenca për kthimin, e cila për dikë përbën problem të madh familjar.

Një javë më parë “Koha Ditore” ka raportuar për pesë vendime të firmosura nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, e nëpërmjet të cilave ftohen për të punuar në Prishtinë shumë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm që ndodhen me mision jashtë vendit. Për nga përmbajtja ato janë thuajse të ngjashme. Dallojnë vetëm emri i diplomatëve, misioni ku ata shërbejnë dhe data kur do të tërhiqen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sedat Burrniku, ministër-këshilltar në Ambasadën e Stokholmit të Mbretërisë së Suedisë, është njëri nga ata që nëpërmjet vendimit të Pacollit duhet të kthehet në Prishtinë. Në vendim theksohet se kthimi bëhet për nevoja të punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Mirëpo, burime brenda këtij institucioni kishin thënë se kjo ishte tërheqja e vetme që bëhej me kërkesë të vetë diplomatit, për arsye familjare.

Burrniku i ka thënë gazetës se në këtë rast ka keqkuptim, meqë janë pikërisht arsyet familjare që e bëjnë të domosdoshme nevojën që të qëndrojë jashtë Kosovës. Ai madje ka dorëzuar një kërkesë në Ministri, nëpërmjet së cilës ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për t’u kthyer në Prishtinë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.