Bota

Anglia nuk pret, hapen shkollat atje

Fëmijët e shkollave fillore në Angli i janë kthyer objekteve shkollore për herë të parë pas më tepër se dy muaj, ndërsa mësuesit u kanë kontrolluar atyre temperaturën në hyrje. Mirëpo, më tepër se një milionë nxënës janë mbajtur në shtëpi nga prindërit e shqetësuar, shkruan “The Sun”. 

Derisa ministrat kanë insistuar se është koha të zbuten masat, gati gjysma e prindërve pritet të mos dërgojnë fëmijët në shkolla sot. 

Sipas Fondacionit Nacional për Hulumtime në Edukim, po pritet në Angli që gati 46 për qind e prindërve të mos dërgojnë fëmijët në shkolla. 

Kjo nënkupton se rreth një milion ka gjasë të qëndrojnë në shtëpi. Por, nxënësit që janë paraqitur në shkolla janë parë të gëzuar në shoqëri të shokëve të klasës pas dhjetë javëve ndarje. 

Shkollat kanë prezantuar disa masa për të mbajtur nxënësit e sigurt nga koronavirusi. Disa nxënës janë parë me maska, ndërsa u është kontrolluar temperatura në hyrje.
Anglia ka më tepër se 38 mijë të vdekur nga COVID-19 sipas statistikave zyrtare, mirëpo sipas të dhënave tjera numri i të vdekurve është mbi 48 mijë.