KULTURË

Ana Franku, Borëbardha dhe Leze Qena

Roli kryesor në jetëgjatësinë e karrierës teatrore të Lezes është ai i Ana Frankut, në shfaqjen “Ditari i Ana Frankut” (1957), me regji të Slobodan Popiqit. Një shfaqje me tekst të dramatizuar nga autorët amerikanë, Frensis Gudring dhe Albert Heket, sipas tekstit autentik të “Ditarit” që mbajti në kohën e okupacionit nazist vajza hebraike trembëdhjetëvjeçare Ana Frank, në tavanin e një magazine, në qytetin holandez Amsterdam, në rrugën “Prinsegraht”, numër 217. Lezja kishte një të përbashkët me Ana Frankun. Lufta e Dytë Botërore për të nuk ishte as histori, as përrallë. Si fëmijë e kishte përjetuar edhe vetë.

1.

Kur një artist/e ndërron jetë, prezenca fizike zëvendësohet më përjetësinë e shenjtë artistike, Shpirti i njeriut artist, ngjitet lart në qiell dhe shndërrohet në një yll në qiellin e pafundmë, atje mes yjesh që shndrisin fort. Por, kjo shndritje artistike është e përjetshme, e përgjithmonshme. Tash së fundmi, yjeve të artit skenik shqiptar në përjetësi iu bashka edhe aktorja Leze Spaqi – Qena (19352020).

2.

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të kaluar brezi im e mban në mend dhe e kujton aktoren Leze Qena si pjesë e shumë projekteve televizive, kryesisht serialeve humoristike, por në të vërtetë, historia e jetës së saj artistike gati 70-vjeçare ka nisur shumë më herët, në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Jo në ekran, por në dërrasat e skenës së teatrit. Vajza e re, e lindur dhe e rritur në Prizren, të cilën e kishin pagëzuar Leze, pasi kishte përfunduar shkollimin fillor dhe atë të mesëm në vendlindjen e saj, kishte një ëndërr, më pak të zakonshme për kohën e saj, të ngjitej në skenën e teatrit si aktore, pse jo, të shfaqej edhe në ekranin e madh, në ndonjë rol filmik. Kështu, Lezja kishte vendosur që ta ndiqte rrugën e ëndrrës së saj. Si nëntëmbëdhjetëvjeçare, në vjeshtën e vitit 1954, shkeli për herë të parë në skenën e asokohe Teatrit Populluer Krahinor të Prishtinës, si aktore (në rolin e Vesnës) në shfaqjen “Fjala është për banesë”, të Drago Zherves, me regji të S. Ravasit. Ishte kjo shfaqje që po ia hapte portën drejt një karriere artistike shumëdekadëshe. Aktorja Leze Qena, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme gjatë tri dekadave në vitet ’50 – ’70 të shekullit të kaluar në mënyrë jashtëzakonisht të suksesshme realizoi dhjetëra role, të vogla e të mëdha, në vepra skenike të autorëve vendorë e botërorë. Si askush tjetër, Lezja u përcoll nga një fat i rrallë që shumëkush do t’ia kishte lakmi. I rastisi që në shfaqjet e para të jetës së saj artistike teatrore të luante përkrah një plejade aktorësh doajenë e themeltarë të Teatrit Kombëtar të Kosovës: Abdurrahman Shala, Muharrem Qena, Shani Pallaska, Meribane Shala, Katarina Josipi, Shaban Domi e të tjerë. Aktorja e re mësoi shumë nga këta aktorë. Mësoi për lojën skenike, për të folurit e bukur, ekspresivitetin dhe magjinë që jep skena e teatrit. Mësoi dashurinë për publikun, dashuri që e dha gjatë gjithë jetës së saj.

3.

Leze Qenën do ta kujtojmë si aktore me një galeri të gjerë personazhesh të ndryshme, tragjike, dramatike e komike. Numri i roleve të saj është i madh, prandaj nuk mund ta përmbledhim në një shkrim të vetëm të këtij formati. Një shëtitje nëpër rolet e saj teatrore, kryesisht atyre të rëndësishme dhe me peshë, na e zbulon Lezen si një aktore me një ekspresivitet të jashtëzakonshëm, me transformime e transfigurime të skajshme të karaktereve në zhanre, kohë dhe hapësira të ndryshme dhe të shumta, që përmbanin shfaqjet në teatër. Derisa shëtisim nëpër galerinë e madhe të roleve të saj në teatër, vetvetiu njëjtësohemi me ndjenjën dhe nevojën e kujtesës për aktoren tonë. Pahetueshëm imagjinata jonë mundo het të përfytyrojë rolet me të cilat Lezja la shenja të pashlyeshme në karrierën e saj prej artisteje./Koha.net