Bota

Amerikanët shkojnë në Kanada për të blerë insulinë më të lirë

Disa amerikanë kanë vendosur ta kalojnë kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe të shkojnë në Kanada për të blerë insulinë për shkak të rritjes së madhe të çmimit të këtij ilaçi, i cili përdoret nga pacientët që vuajnë nga diabeti.

Banorët e Minnesotas, të cilët janë pjesë e nismës “Insulinë për të gjithë”, e organizuan një karvan dhe udhëtuan pesë orë me vetura për të blerë insulinë me çmim prej 30 dollarësh. I njëjti ilaç në Shtetet e Bashkuara kushton 300 dollarë.

Nicole Smith-Holt, djali i së cilës vuante nga diabeti i tipit 1 dhe vdiq pasi nuk kishte mundësi të blinte insulinë, tha se iu bashkua këtij grupi në nderim të kujtimit për të.

“Udhëtimi im në Kanada ishte në kujtim të djalit tim. Nëse do ta dija që është ligjore të blej insulinë në Kanada dhe ta fus atë në ShBA, do ta kisha bërë këtë udhëtim para dy vjetësh kur ai nuk kishte sigurim shëndetësor dhe i nevojiteshin 1300 dollarë në muaj”, tha ajo.

Insulina, e cila është hormon i nevojshëm për mbijetesën e personave me diabet të tipit 1, e rregullon nivelin e sheqerit në gjak dhe e shndërron glukozën në energji të nevojshme për trupin e njeriut.

Quinn Nystrom, një grua tjetër që ishte pjesë e këtij karvani, tha se frikësohej që policët kufitarë do t’ia konfiskojnë shishet e insulinës, por i tërë grupi e kaloi kufirin pa probleme.

Çmimi i insulinës në Shtetet e Bashkuara është rritur shumë kohëve të fundit, por ky fenomen nuk ekziston në Kanada, ku Bordi për Shqyrtimin e Çmimit të Barnave i përcakton prerazi çmimet e ilaçeve dhe nuk lejon rritjen e tyre jashtë kontrollit, shkruan “Independent”,