Kosova

Ambasadori në Zagreb thotë:Se 2020-ta, vit i artë për liberalizimin e vizave

Ambasadori i Kosovës në shtetin që e ka marrë kryesimin e presidencës së BE-së insiston se viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave, pikërisht duke pasur parasysh faktin, siç thotë ai, që Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE-së gjatë këtij viti.

Ai në një intervistë për “FrontOnline”, ka thënë se beson që këto dy shtete do të jenë mbështetëse të fuqishme të procesit të vizave për Kosovën, dhe do t’i mbetet institucioneve kosovare që ta argumentojnë rëndësinë dhe arsyeshmërinë e përmbylljes së këtij procesi të stërzgjatur.

“Viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave pikërisht duke pasur parasysh që Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE-së në këtë periudhë. Unë besoj që këto dy shtete do të jenë mbështetëse të fuqishme të këtij procesi dhe do të na mbetet ne që të argumentojmë bashkarisht rëndësinë dhe arsyeshmërinë e përmbylljes së këtij procesi të stërzgjatur. Ne i kemi plotësuar kriteret teknike që moti dhe çdo vonesë veçse do të shtonte zhgënjimin tonë në raport me BE-në. Me rëndësi është që ne të vazhdojmë përmbushjen e detyrave tona të shtëpisë dhe të prodhojmë argumente për vendet skeptike në mënyrë që vendimmarrja nga ana e tyre të jetë pozitive dhe sa më e shpejtë”, ka deklaruar Kasapolli.