Kosova

Ambasadori Kosnett: Ligji për UÇK-në e minon lirinë e shprehjes dhe bie ndesh me frymën Kushtetuese

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka një agjendë të ngjeshur, ku ndër të tjera pritet të hidhet në votim edhe Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, të cilin e ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – shkruan Kosova.info

Ligji në fjalë është përkrahur edhe nga vet Qeveria Hoti, por paralajmërimet për votimin e tij, nuk janë mirëpritur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Philip Kosnett.

Saktësisht më 29 qershor, ai pat reaguar, duke thënë se kjo është një mënyrë e gabuar e tregimit të respektit për UÇK-në. Ndërsa sot, nëpërmjet një vështrimi, i cili i është publikuar në Koha.net, ndër të tjera ai ka thënë se:

Sot, Kuvendi i Kosovës e ka në rend të ditës shqyrtimin e Ligjit të propozuar për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Unë besoj se ky ligj, pa marrë parasysh qëllimet e tij, nuk është në përputhje me zotimin për liritë themelore, që janë në thelb të Kushtetutës së Kosovës. Miratimi i ligjit, në formën e tanishme, do të dobësonte demokracinë e Kosovës.

Sipas tij:

“Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato. Në përpjekje për të shfaqur respekt për UÇK-në, Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej që padashje të minonte trashëgiminë e saj.”

Nuk dihet nëse ligji në fjalë do të gëzojë përkrahje edhe nga subjektet e tjera, ndërsa opinioni i ambasadorit Kosnett, mund të jetë mjaft i madh tek deputetët./Kosova.info/