Kosova

Ambasadori italian me mesazh për miqësinë e Italisë me Kosovën

Ne do të kthehemi për të festuar çdo ditë për Vendin tonë dhe miqësinë vëllazërore që lidh Italinë me Kosovën, ka thënë Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Ai ka folur kështu me rastin e  Ditës së Republikës.

Mesazhi i plotë: 

Mesazhi i Ambasadorit të Italisë në Kosovë Nicola Orlando me rastin e Ditës së Republikës

Më 2 qershor, italianët në të gjithë botën mblidhen rreth Flamurit trengjyrësh “Tricolore” për të festuar Republikën tonë. Në shenjë respekti për viktimat e pandemisë, festimet e këtij momenti kaq të rëndësishëm për identitetin tonë kombëtar do të jenë të matura këtë vit.

Shpejt do të kthehemi për të festuar për Vendin tonë dhe historinë e tij pakrahasimisht të pasur me bukuri dhe talent, por duhet të presim edhe pak. Sot, ne ndalemi dhe i kujtojmë ata që na lanë në këta muaj të vështirë.

Në momentet më të errëta, rigjetëm forcën e solidaritetit dhe ndjenjën tonë të përkatësisë. Së bashku i kemi bërë ballë sfidës më të madhe të këtij brezi, me respekt të ndërsjellë dhe me ato akte spontane të bujarisë dhe vetëmohimit që shprehin kuptimin e vërtetë të të qenit italianë.

Duke marrë shembull nga mjekët, infermierët dhe vullnetarët tanë, ne e bëmë këtë pa marrë parasysh kategoritë sipërfaqësore që na ndajnë. Edhe një herë, si gjithmonë në faqet më të mira të historisë së gjatë të italianëve, kemi gjetur forcën tonë të vërtetë në mprehtësinë dhe në pluralizmin e ideve dhe traditave. Në një vëllazëri të bazuar në parimet universale të Kushtetutës sonë, për të cilën “të gjithë qytetarët kanë dinjitet të barabartë shoqëror dhe janë të barabartë para ligjit, pa dallim”.

Është kjo trashëgimi e kreativitet, guximit dhe solidaritetit që çdo italian e mban me vete jashtë vendit. Në këtë frymë, edhe në momentet më të vështira, Italia ka qëndruar përkrah Kosovës. Përmes Ambasadës e bashkëpunimit për zhvillim, forcave tona të armatosura, zyrtarëve tanë në organizatat ndërkombëtare dhe sipërmarrësve tanë i kemi shtrirë dorën popullit kosovar, duke kontribuar në reagimin efikas ndaj krizës shëndetësore.

E kemi bërë me vetëdijen se fatet e popujve tanë janë gjithmonë të bashkuara në aspiratën për liri, barazinë e çdo qytetari para ligjit dhe demokracisë. Në aspiratën e rrugëtimit të integrimit euro-atlantik në të cilën besojmë bindshëm dhe që duam ta shohim të realizuar sa më shpejt, duke filluar me liberalizimin e vizave hyrëse.

Nesër, në Itali dhe Kosovë, fillon një fazë e re në të cilën me entuziazëm dhe përgjegjësi do të rihapim Vendet tona dhe do të ringjallim ekonomitë tona. Duke u bazuar në frymën e solidaritetit të treguar deri më sot, ne mund të dalim më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.

Ne do të kthehemi për të festuar çdo ditë për Vendin tonë dhe miqësinë vëllazërore që lidh Italinë me Kosovën.

Gëzuar Ditën e Republikës.

Nicola Orlando

Ambasador