Kosova

Ambasadori i BE-së në Serbi: Dialogu ka marrë hov, s’ka arsye për zvarritje

Si ndërmjetësuese në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë më shpejtësinë që e duan dy palët, ka thënë ambasadori i BE-së në Serbi, Sem Fabrizi.

Ai ka shtuar se BE-ja e ka theksuar në mënyrë të qartë se nuk sheh arsye për zvarritje.

Në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, Fabrizi ka thënë se nuk ka arsye të flitet për afate kohore artificiale në dialog. Megjithatë, si ka theksuar, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, ashtu si edhe shtetet anëtare të BE-së e kanë theksuar në mënyrë të qartë se nuk shohin arsye për zvarritje.

Në pyetjen nëse dialogu ka marrë hov, pas raundit të tretë në Bruksel, Fabrizi i ka përsëritur fjalët e Borrellit se dialogu “kurrë nuk është i lehtë”.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti kanë arritur përparim të plotë rreth çështjes së të zhdukurve dhe bashkëpunimit ekonomik, kështu që kanë mundur t’i lënë këto tema anash dhe të fokusohen në rregullimet për bashkësitë joshumicë dhe zgjidhjen e çështjeve financiare”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se këto dy çështje të reja u shtruan për herë të parë në Bruksel të hënën, në kuadër të negociatave për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim.

“Presim që raundet e ardhshme të bisedimeve të jenë edhe më të vështira”, ka thënë Fabrizi, duke shtuar se megjithatë, të dyja palët janë të gatshme të angazhohen negociata, gjë kjo pozitive.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.