Kombëtare

Ambasada shqiptare në Kinë s’ka mjete për t’ua paguar biletat shqiptarëve që ndodhen atje

Ambasadori i Shqipërisë në Pekin, Selim Belortaja, ka folur në lidhje me situatën e rëndë në të cilën po kalon Kina.

Ai u është drejtuar me një thirrje shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, që biletat e aeroplanëve do duhet t’i blejnë vetë nëse duan të largohen nga koronavirusi.

Përmes një statusi në rrjetin social, Belortaja është shprehur se Ambasada e Shqipërisë në Kinë nuk ka mundësi që t’i paguajë biletat shqiptarëve që ndodhen atje, e madje tha se as qeveria kineze nuk ka ofruar financim në takimin që sot ministria e Jashtme e këtij shteti mbajti me trupën diplomatike.

“I bëj thirrje familjeve të atyre që kanë ndarë mendjen të kthehen, të mos hezitojnë, po të sakrifikojnë edhe kësaj here për një biletë udhëtimi të njeriut të tyre. Ambasada nuk e ka mundësinë të paguajë, ndërsa as MPJ kineze nuk ofroi gjë për financim lëvizjesh”, shkruan ambasadori Belortaja.

Ai tha se situata vazhdon e nderë, ndërsa në takimin me MPJ-në kineze u theksua mobilizimi i jashtëzakonshëm, transparenca dhe bashkëpunimi me OBSH, por pa ndonjë përcaktim mbi perspektivën e afërt dhe ecurinë e kurbës së të prekurve.

Diplomatëve të akredituar në shtetin kinez, MPJ-ja u ka thënë se Kina ka fituar përvojë në luftimin e viruseve dhe do bëjë çmos ta fitojë edhe këtë betejë.

Ndërkohë, diplomati shqiptar në Pekin tha se nuk gjendet asnjë i infektuar mes rreth 400 shqiptarëve që ndodhen në shtetin kinez, prej të cilëve 60 studentë.

“Kemi vetëm një studente në Wuhan të cilën po bëjmë çdo përpjekje ta nxjerrim, sado që kjo kërkon disa procedura lejesh dhe aplikimesh dhe rregulla karantine 14 ditore – edhe pse nga testi fillestar doli ok! 3 të tjerët, në dijeninë tonë janë larguar nga Wuhani dhe kanë mbërritur ose po mbërrijnë në atdhe! I kemi ftuar gjithë shqiptarët që studiojnë, punojnë ose thjesht ndodhen në Kinë, të identifikohen në e-mailin e ambasadës dhe raportojnë gjendjen dhe adresën. Ndjekim situatën dhe i raportojmë MEPJ-së”, u shpreh Belortaja.