Aliaj: Në Kosovë të bëhet më shumë për njerëzit me aftësi të kufizuara

Deputeti i parë shqiptar në Parlamentin e Zvicrës, Islam Aliaj, ka vizituar Qeverinë e Kosovës. Para se të takohej me kryeministrin Kurti, Aliaj përmes një interviste dhënë RTK-së, tha se ndjehet krenar që është deputet në Parlamentin zviceran.

“Unë jam shqiptari i parë në Parlamentin e Zvicrës dhe jam shumë krenar për këtë arritje. Ky është një hap i madh për mua dhe shoqërinë tonë. Që 13 vite jam aktivist i njerëzve me aftësi të kufizuara duke luftuar për të drejta të barabarta. Kontributi im është duke vazhduar më shumë në parlament ku jemi duke bërë ndryshimet në ligje për një jetë më të mirë për njerëzit me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Deputeti i Parlamentit helvetik në Bernë, u prit në takim nga kryeministri, Albin Kurti me të cilin biseduan për mundësinë e bashkëpunimit për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se ndjehet krenar me arritjet e Aliajt, duke i uruar suksese në të gjitha angazhimet e tij, derisa i ofroi mbështetjen e plotë në kauzën e përbashkët për mundësi të barabarta për të gjithë.

Go to TOP