OPINION

Ali Dula: Kultura e gjuhës së Presidentit

Sipas George Orwellit, fjalimi politik, i cili është në qendër të komunikimit publik, drejtohet nga rregullat e “Fjalimit të ri” (Newspeak) .

“Newspeak” ishte një shpikje e Orwellit, si gjuhë e një vendi imagjinar të Oqeanisë, në romanin e tij “Nineteen Eighty-Four”.  Shqetësimi i Orwellit për t’i dhënë fund përdorimit të gjuhës për të shprehur realitetin u pasqyrua sinqerisht në këtë shpikje “ Newspeak”.

Qëllimi i tij është që gradualisht t’i vështirësojë shprehjet e mendimeve që bien ndesh me idetë zyrtare – dhe, me kalimin e kohës, t’i parandalojë shfaqjet e mendimeve të tilla. Andaj, për sa i përket kulturës së gjuhës, ajo nuk është vetëm çështje e përmbajtjes por edhe e formës dhe e mundësisë së shprehjes. Pra, kultura e gjuhës është semiotike, që nënkupton  shtrirjen e nocionit të gjuhës: ajo përfshin tërë sistemin e simboleve dhe shenjave që një shoqëri ka në dispozicion të vetë-shprehjes. Pra, për të nuk është e veçantë vetëm ajo që thuhet, por edhe ajo që mund të thuhet.

Në këtë sens, zhvillimet e fundit politike na shfaqin akterë politikë që nuk përkojnë me nivelin e një kulture korrekte të gjuhës politike. Kjo ngjau me presidentin Thaçi i cili ka disa ditë që konsumon një gjuhë krejtësisht barbare e në kundërshtim me shoqëritë e civilizuara demokratike, të cilat ai i përmend në çdo press konferencë.

Frazat si “Merre filanin dhe po ju pres në shtëpi” pasqyron kulturën e ultë të komunikimit politik ndërinstitucional, madje lirisht mund të thuhet jashtëzakonisht primitive. E në përgjigje të kësaj z.Kurti e ftoi për TV debat, që ishte një përgjigje krejt civilizuese. Po dje në press konferencë, presidentit Thaçi përsëriti të njëjtin diskurs me shprehjet:  “Grupi i Kurtit” ,”grupi i Vitisë”, grupi i Sveçlës”…! Sërish një gjuhë krejtësisht joinstitucionale e Presidentit, ku institucionit të qeverisë ju drejtohet me fjalë të papërpunuara e të padisiplinuara kulturalisht, sikur të ishin ato grupe të organizuara jashtinstitucionale apo banditë të antiligjit. Përderisa kryeministri Kurti në një press konferencë gjithë kohën ju drejtua z. Thaçi me shprehjen “presidenti”…

Pa gjykuar veprimet politike të protagonistëve politikë, por antagonizmi e mëri të vjetra politike si dhe pozicioni i ndryshuar i kulturës në rendin e ri politik të Kosovës po reflektohen në mënyrë të pabarabartë në format themelore politike – siç është  gjuha,

Presidenti i vendit, institucion ky që duhet të përfaqësojë e ruajë unitetin e popullit si dhe spektrit politik, me këtë kulturë të gjuhës del krejtësisht jasht autoritetit të tij politik si dhe  minon shumë vlera qytetare për të cilat shpesh protestojmë. Pra, presidenti Thaçi nuk e nxjerr politikën nga sfera e kulturës, por anasjelltas, për të kultura është padyshim gjithmonë sekondare në raport me politikën.

Gjuha është identiku më i vendosur i çdo njeriu. Ndërkaq formimi kulturor i saj pasqyron faktin e nivelit të arritshmërisë edukative e kulturore të secilit individë, andaj moderimi-përmbajtje në gjuhë është sinonim i asaj që quhet “qytetare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.