OPINION

FALEMINDERIT, GJERGJ!

Shkruan: Rinor GJERGJI
GJERGJ KASTRIOTI ka vdekur për ta bërë Shqipërinë të pavdekshme.

Në përvjetorin e vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar, duhet t’ia rikujtojmë vetes se, falë Skënderbeut, Shqipëria e vogël do të jetë gjithmonë e madhe në sytë e studiuesve të historisë sonë.

Madhështia e figurës së Gjergj Kastriotit qëndron në multidimensionalitetin e saj. Ne, Gjergjin mund ta trajtojmë:

-nga aspekti ushtarak, si njëri ndër gjeneralët më të mëdhenj të historisë botërore. Ai, që në fëmijëri kishte treguar aftësi të jashtëzakonshme ushtarake, për çka iu dha titulli “Skënder-bej” nga vet Sulltani. Duke qenë në njërën prej ushtrive më të fuqishme jo vetëm të kohës, por të historisë botërore, ai kishte marrë përgatitje të lartë ushtarake, tërësisht profesionale. Nëse duam të ngremë paralele aktuale, i bie sikur një nxënës shqiptar të arsimohet në Japoni që nga klasa e parë. Probabiliteti që ky nxënës të bëhet profesionist është shumë i lartë.

Frytet e asaj përgatitjeje u panë në praktikë, pasi Gjergj Kastrioti ka treguar rezultate konkrete në terren. Betejat e fituara ndaj Perandorisë Osmane me ushtri modeste i tejkalojnë betejat e lavdishme të spartanëve ndaj persëve. Andaj, me të drejtë, Gjergj Kastrioti, si një strateg i jashtëzakonshëm, siç përshkruhet në betejat e fituara, duke shfrytëzuar pozitën gjeografike dhe taktikat brilante ushtarake, riradhitet në mesin e gjeneralëve më të mëdhenj botërorë. Po të mos ishte Gjergj Kastrioti, kufijtë europianë nuk do të ishin siç janë sot. Terrori osman kishte kapluar mbarë Europën, por Gjergj Kastrioti nuk la depërtimin e tyre më tej në Europë. Pra, jo vetëm Shqipëria e Kosova, por mbarë Europa i detyrohet Skënderbeut të lavdishëm.

-nga aspekti i udhëheqjes shtetërore, si një burrështetas, i cili arriti t’i bëjë bashkë princërit arbërorë, në një kohë kur e gjithë Europa vuante nga ndarjet brenda shtetit – si karakteristikë e feudalizmit. Në Francë, bie fjala, fisnikëria përfaqësonte shtresën e dytë më të privilegjuar dhe ata brenda territorit të vet ushtronin pushtet, jo vetëm ndaj vasalëve të tyre, por ndaj çdokujt që ndodhej aty. Pra, Gjergj Kastrioti arriti t’i kapërcejë këto sfida të feudalizmit dhe unifikoi popullin e vet.

-nga aspekti diplomatik, Gjergj Kastrioti diti ta bëjë shtetin e Arbrit faktor në botë, duke krijuar marrëdhënie të shkëlqyera me udhëheqësit e shteteve europiane të asaj kohe. Ai madje do të shpallej Mbret nga Papa Piu II dhe udhëheqës i  koalicionit europian kundër osmanëve. Kurse sot, ne as që jemi anëtarë të BE-së, e madje nuk mund të lëvizim lirshëm në shtetet përreth. Në vend që sot të ishim një shtet me ndikim në politikat europiane, ne nuk përfshihemi fare në to.

Përderisa letrat e udhëheqësve europianë për Skënderbeun shprehnin admirim, ku ata edhe kërkonin ndihmë nga ai, letrat e udhëheqësve europianë për politikanët tanë sot shprehin vetëm pakënaqësi e kritika dhe natyrisht, kërkesa.

Pra, në kohën e Skënderbeut ne kishim autorizime, kurse tani kemi detyrime. Atëbotë na besohej udhëheqja, kurse tani nuk na besohet as liberalizimi i vizave. Kjo tregon nivelin e lartë të Skënderbeut si diplomat.

-nga aspekti i qëndrueshmërisë, si një njeri me mision dhe vizion të qartë për t’i çliruar tokat arbërore nga pushtimi i egër osman, ai asnjëherë nuk u lëkund në qëndrimet e tij. Ndryshe nga nipi i tij, Hamzai dhe shumë të tjerë që i kthyen shpinën kombit të vet, Gjergji asnjëherë nuk u josh nga ofertat e armiqve. Ai e la anash interesin personal për një interes të përgjithshëm sepse qëllimi i tij ishte shumë më i madh se ndonjë përfitim material, ndonjë pronë a ndonjë post. Ai nuk u korruptua e nuk devijoi asnjëherë nga rruga e tij. Shembull ky për çdo udhëheqës botëror.

Gjergj Kastrioti përfaqëson vlerat më të larta njerëzore: besnikërinë, atdhedashurinë, përgjegjësinë, trimërinë, mençurinë etj. Por, mbi të gjitha, ai përfaqëson përjetësinë. Përjetësia e Tij është përjetësi e Shqipërisë. Andaj, më e pakta që mund të bëjmë është të themi FALEMINDERIT, GJERGJ!