SPORT

Albin Tahiri kalon me sukses sfidën e parë për normë Olimpike në disiplinën e sllallomit të madh

Skitari ynë përfundoi në pozitën 74 të garës së zhvilluar sot në Reiteralm të Austrisë, pozitë kjo e mjaftueshme për të arritur rezultatin e parë prej pesë sosh sa i duhen për të fituar normën Olimpike Pekin 2022 në këtë disiplinë.

Ai mori 129 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). Pas dy lëshimeve Albini arriti në cak me kohë 1 minutë, 43 sekonda dhe 61 të qindtat.

Në garën e sotme ishin 144 garues, ku 42 prej tyre nuk arritën ta përfundojnë garën shkaku i kushteve të vështira. Albini do të garojë edhe nesër në sllallom të madh.

Sot garat ndërkombëtare i kanë vazhduar edhe ekipi tjetër i Kosovës në përbërje: Arbi Pupovci, Drin Kokaj, Kiana Kryeziu dhe Arba Pupovci, që po garojnë në Kollashin të Malit të Zi. Garat sot u zhvilluan në slalom të madh.

Kiana Kryeziu doli e nënta, ndërsa Arba Pupovci e dhjeta, nga 15 garuese, katër prej të cilave nuk arritën ta përfundojnë garën. Edhe meshkujt nuk e patën ditën, duke mos arritur t’i përfundojnë të dyja lëshimet.