Kosova

Albin Kurti vendos të reagojë për rrahjen e Visar Duriqit

Kandidati për kryeministër i VV’së, Albin Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka reaguar më në fund ndaj sulmit të gazetarit Visar Duriqi.

 Kurti ka thënë se ka mbaruar koha e atyre që mendojnë se demokracia mund të ndalet me “gangsterizëm”.

Tutje, ai i uroi shërim të shpejtë gazetarit Visar Duriqi.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Qeveria kujdestare rekordeve të veta të këqija po u shton edhe atë të problemeve me rendin publik. Rrahja e familjarëve të politikanëve për shkak të qëndrimit të tyre politik, rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron. Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike, sipas ligjit. Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar. Njëri-tjetrin mund “ta mundim” vetëm me fakte, me argumente, me logjikë e me mjete demokratike. U bëj thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit.

I uroj shërim të shpejtë e rikthim në detyrë gazetarit Visar Duriqi.