Kosova

Albin Kurti shkon në odën në të cilën Zahir Pajaziti i bënte planet për çlirimin e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka qëndruar pasditen e së hënës, në odën e Naim Hysenit në Podujevë, vend në të cilin heroi Zahir Pajaziti, së bashku me bashkëpunëtorë kishin bërë plane për çlirimin e Kosovës.

Kurti, në një shkrim të tij në rrjetin social Facebook, ka treguar historikun e atij vendi dhe planet që Zahir Pajaziti me shokë, i bënin për goditjen e policisë serbe.

Shkrimi i plotë:

Kjo është oda e Naim Hysenit, ku e kemi parë në xhirim Zahir Pajazitin. Këtu bënin plane për çlirim Zahiri, Ilir Konushevci, Hakif Zejnullahu e shumë të tjerë. Odë e përgatitjes para aksioneve; dhe, e strehimit pas aksioneve. Përveç gueriles së parë që filloi nga po këtu, çdo vendim tjetër për këtë zonë u vendos po ashtu këtu.

Dje ishte ditëlindja e Ilirit e nesër është e Hakifit. Sot erdha në këtë odë bashkë me kryetarin e Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi. Dëgjuam rrëfimet evokuese të bashkëluftëtarëve: Gjeneral Naim Haziri, Kolonel Shaip Haziri dhe Selim Haziri. Erdhëm për kujtim e nderim. Me përmallim dhe obligim.