Kosova

Albin Kurti nesër e pret Edi Ramën me ceremoni shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do e pres me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar të tij.

Diçka të tillë e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për medie, teksa ka ndarë edhe agjendën e takimit mes dy homologëve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nesër, më 27 shtator 2021, duke filluar nga ora 08:50, pret me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu”, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

“Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20”, precizohet më tutje.

Vizitës së tij i kanë paraprirë zhvillimet në veri të Kosovës, pjesë kjo në të cilën Qeveria Kurti ka dërguar Njësitin Special që të menaxhojë situatën pas tensioneve të protestuesve serbë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Rama, përgjatë një interviste për mediumin ‘Euronews’, u deklarua lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, për të cilat tha se projekti “Open Balkans” nuk i ka dëmtuar ato. 

Shfaq më shumë