Kosova

Akuzohet se punësoi vajzën në QKMF, caktohet seanca ndaj Zenun Elezajt

Një muaj pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar seancën fillestare ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i cili akuzohet për konflikt interesi.

Lidhur me akuzat se personalisht mori pjesë në punësimin e vajzës së tij në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, Zenun Elezaj, do të dal para gjykatës më 9 dhjetor të këtij viti, nga ora 10:00.

Caktimin e kësaj seance për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.