Kosova

Akuzat ndaj ish-luftëtarëve të UÇK, ja si serbët kompletuan dosjet dhe kthyen në lodër Prokurorinë Speciale

Akuzat e ngritura ndaj ish-liderëve të UÇK duket se janë gatuar të gjitha në Serbi. Edhe pse kemi një gjykatë të krijuar nga Parlamenti i Kosovës dhe presupozohet që një gjykatë e prokurori duhet të jetë e pavarur, duket se me Specialen po ndodh e kundërta. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi ndodhen në Hagë të akuzuar për krime lufte.

Një ndër bazat e akuzave është raporti i Dick Marty, raport i kontestuar me qindra herë. Por faktet tregojnë se janë serbët ata që janë kujdesur të mbledhin vota dhe të kthejnë Hagën kundër UÇK.

Ka disa persona që e tregojnë këtë gjë. Ish-kryeprokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviç, ka thënë më herët, se autoritetet serbe mblodhën prova në lidhje me rolin e pretenduar të presidentit Hashim Thaçi në krimet e kohës së luftës, i cili më pas iu kalua hetuesve të Hagës.

Vukçeviç, i cili ishte kryeprokuror i krimeve të luftës nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015 ka deklaruar se autoritetet serbe bashkëpunuan me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për hetimet mbi trafikimin e supozuar të organeve të të burgosurve nga luftëtarët e UÇK-së.

“Prokuroria e Hagës po hetonte krimet e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që më pas u bë politikan, Ramush Haradinaj, i cili u lirua përfundimisht dhe kështu ata shkuan në Shtëpinë e Verdhë, ndërtesë në Shqipëri, ku gjoja ishin hequr organet e të burgosurve, por nuk kishte një mandat për Shqipërinë sepse vetë Gjykata e Hagës ishte ekskluzivisht për vendet e ish-Jugosllavisë. Ata panë atë që ata panë, e filmuan atë e kështu me radhë dhe më vonë ata na dhanë gjetjet e tyre”, shtoi ai.

Vukçeviç dhe kolegët e tij më pas shkuan në Shqipëri dhe me një prokuror lokal vizituan rreth 12 zona ku u mendua se viktimat e trafikimit të organeve mund të ishin varrosur. Ai tha se ata gjetën dëshmi të rolit të Thaçit në krimet e kryera nga luftëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Dëshmitë e tjera

Përveç tij, dokumente dhe fotografi në adresë të Hagës ka dorëzuar edhe ish-ministri i Drejtësisë së Serbisë, Vladan Batiç, shkruan “Kosovo Online”.

Një gjë të tillë e ka thënë avokati serb, Pedrag Saviç, duke treguar në detaje se materiali i dërguar nga ministri serb në Hagë përmban më shumë se 50 mijë faqe dokumente dhe dhjetëra mijëra fotografi.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Serbisë dërgoi dokumentet tek Zyra e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. “Sidoqoftë, meqë kemi qenë në dijeni se ata (Kosova) nuk do arrijnë të bëjnë asgjë lidhur me këtë, çdo gjë u dërgua në Zyrën e Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte dhe Zyrës Shtetërore të Prokurorisë të Serbisë, në mënyrë që të vazhdonin hetimet kundër UÇK-së”, tha Saviç, ish-asistenti i ministrit të apostrofuar. Ai shpjegon se ishte e sigurt që tribunali do ta refuzonte dëshminë e supozuar nga pala serbe.

Dokumentacioni për të cilin flet Saviç përmban dosje nga gjykatat serbe. “Më shumë se 10,000 fotografi u ishin dërguar atyre nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Saviç. “Express” ka raportuar se Prokuroria e Serbisë ka ndihmuar Prokurorinë Speciale të Hagës për ngritjen e aktakuzave kundër ish-anëtarëve të UÇK-së edhe më herët. Këtë e kishte konfirmuar personi që ka qenë i përfshirë direkt në bashkëpunim me Hagën, Dragoljub Stankoviç.

Stankoviç i cili tashmë është prokuror në pension, ka treguar se i ka lejuar hetuesit e Hagës që të intervistojnë qindra dëshmitarë në Serbi. “Detyra ime ishte të gjeja dëshmitarë, të inkurajoja ata dhe t’i bindja të jepnin deklarata për Prokurorinë Speciale. Unë s’kam marrë pjesë në intervista dhe nuk e di se kënd e kanë marrë në pyetje si dëshmitarë apo viktimë”, ka thënë Stankoviç.