Kombëtare

Aktivizohet komplet shteti, kërkojnë mishin e kalit i proklamuar se po shitet në tregun e Ferizajt për suxhuk

Një deklaratë e një personi të papëgjegjshëm se në tregun e Ferizajt po shiten kuajt të kontrabanduar nga Maqedonia e me mishin e tyre po prodhohet suxhuk e ka aktivizuar komplet shtetin, thotë Inspektoriati komunal i Ferizajt.

Përderisa nëpër mediume të shumta gjatë ditës së djeshme sipas  një hulumtimi të publikuar fillimisht nga Gazeta Express ka qarkulluar lajmi se në tregun e Ferizajt po shitet mishi i kalit për suxhuk ka ngritur në këmbë jo vetëm Inspektoriatin komunal të Ferizajt, por për inspektim është aktivizuar edhe Zyra Regjionale e  Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Ridvan Berisha Kryeinspektor  në komunën e Ferizajt për Televizionin Tema ka theksuar se pas lajmit të publikuar dje nëpër portale, inspektoriati komunal menjëherë kanë dalë në isnpektime në të gjitha vendet ku shiten produktet shtazore, e sipas tij një deklaratë e tillë nuk përkon me realitetin.

“Dje e kam parë përmes portaleve një shkrim të tillë, por unë kërkoj nga qytetarët e komunës sonë të mos shqetësohen, nuk ka të bëjë asgjë me realitetin, e them këtë me përgjegjësi në kuptimin se ne jemi aktiv çdo herë, kemi një numër të konsiderueshëm të inspektorëve të cilët mirren me ushqim e në veçanti me produktet me origjinë shtazore, momentalisht i kemi dy inspektorë veteriner të cilët e kontrollojnë mishin para therrjes, gjatë therrjes dhe mbas therrjes. Në Ferizaj gjinden tre thertore të licencuara nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës, që nga e hëna deri në të premten kontrollohet mishi nga inspektorët” tha Berisha.

Berisha tutje theksoi se mishtoret dhe megamarket nuk rrezikojnë të mbajnë produkte shtazore të pakontrolluara sepse gjobat janë shumë të larta  nga 5  mijë deri në 50 mijë euro në krahasim me kontrollin që kushton vetëm 5 euro.

“Në Ferizaj kemi edhe 10 mishtore dhe disa megamarkete që mbajnë produkte shtazore por një gjë ua them se nuk rrezikojnë në këtë drejtim tu e pas parasysh ligjin e veterinës, për mishin pa kontrollë veterinere, të pa vulosur, pa qertefikatë për gjendjen shëndetësore, janë gjoba shumë të larta, gjobat variojnë prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, pra gjobat janë shumë të larta sa nuk ja vlen një biznes me ik pa kontroll veterinere, sepse ni kontrollë e tillë kushton vetëm  5 euro” tha Berisha për Televizionin Tema.

Berisha po ashtu komentoi edhe rreth deklaratave të personit të proklamuar për Gazetën Ekspress se kuajt kontrabandohen nga Maqedonia dhe shiten në të gjitha tregjet e Ferizajt, por Berisha thekson se policia vazhdimisht patrullon në të gjitha tregjet dhe kontrollon secilin kamion që transporton kafshë.

“Aty ceket se ka një kontrabandë që vie nga Maqedonia dhe shitet nëpër të gjitha tregjet por në veçanti në komunën tonë, ajo çka është me rëndësi për mbrojtjen e vijave ne kemi një njësit të policisë që thirret vija e gjelbërt, por janë edhe policia që patrullojnë që i nalin edhe këto kamiona të transportit të kafshëve, në rast se transportohet një kafshë mbrenda teritorit të komunës duhet t’i ketë disa dokumente percjellëse, qertefikatë mbi gjendjen shëndetësore e lëshuar nga ambulanta veterinere e AUV-it, nëse këto nuk i posedon shitësi i kafshëve të njejtat kafshë konfiskohen dhe shkojnë në karantinë  dhe bëhet verifikimi i tyre” tha Berisha.

Berisha kerkon nga organet kompetente te mirren me rastin, të gjejnë personin i cili ka plasuar deklarata të tilla dhe të marrin masa ndaj atij personi.

“Një deklaratë e një personi të papërgjegjshëm krijon një lloj hutie te konsumatori dhe neve si shtet na ka aktivizuar komplet, në këto momente që po flasin janë duke u inspektuar edhe mishtoret, po ashtu edhe inspektori i veterinës Zyra Regjionale që e kemi këtu, edhe ata janë aktivizuar për të parë çka ka në teren por deri më tani nuk ka pasur asnjë gjë, unë kërkoj nga policia që t’i pyesin portalet se ku i gjejnë ato të dhëna, dhe nëse ka diçka pse mos të na njoftojnë edhe neve që bashkarisht ta shohim çka është problemi” tha Berisha.

Kujtojmë se edhe në raportin e publikuar nga auditori  thuhet se produktet si suxhuk shtëpiak jo në të gjitha rastet ka të dhëna rreth përmbajtjes së tyre, në disa raste te suxhuku shtëpiak ekzistojnë etiketa vështirë të lexueshme, kurse në shumicën e raste te ky produkt nuk ka etiketë me përbërësit, nuk ka datë prodhimi, e nuk ka as datë të skadimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.