Kosova

Aktakuzë kundër 9 persoanve për vepra të ndryshme penale

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër 9 personave për veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 281 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe nënparagrafi 1.2, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1, “shpëlarje e parasë nga neni 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.5 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, LIGJI Nr. 05/L -096.

Të pandehurit B.J, Sh.H, F.H, P.H, B.B dhe Sh.I, nga 16.05.2018 e deri më 07.10.2018, në vazhdimësi, me dashje, pa autorizim, kanë transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis (marihuanë), ashtu që, sipas marrëveshjes paraprake, duke i ndarë rolet, paraprakisht janë furnizuar nga Republika e Shqipërisë, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për njëri-tjetrin. Me ketë, në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge.

I pandehuri B.B, nga data e pacaktuar deri më 07.10.2018, në shtëpinë e tij, në kundërshtim me Ligjin mbi Armët, në mënyrë të pa-autorizuar ka mbajtur në posedim armë, revole të tipit Zastava M-57, e kalibrit 7.62 mm, me nr. H-99359, me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një revole e kalibrit 6.35 mm, me nr. serik 493788, me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm, si dhe, 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12 mm, të cilat janë sekuestruar nga policia. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, i pandehuri A.A, më 29.09.2018, në shtëpinë e tij, me qëllim të shpërndarjes së substancës narkotike të llojit marihuanë, ka pranuar nga i pandehuri Sh.H, substancë narkotike, në peshë prej 7.6 gram, të cilën substancë e ka vendosur dhe sistemuar në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut ta dërgoi në qendrën korrektuese në Dubravë, tek një person tjetër, i cili është në vuajtje të dënimit. Me këto veprime ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I pandehuri Sh.H, nga 18.10.2016 e deri më 29.06.2018, në vazhdimësi, ka bartur përfitimin e kundërligjshëm tek i pandehuri A.M., me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit të pasurisë, në vlerë prej 36,875.00 euro, si dhe, në marrëveshje me të pandehurin Sh.B., ka bartur përfitimin e kundërligjshëm, në shumë prej 7,000 €. Po ashtu, i pandehuri Sh.H, përmes të pandehurve të tjerë, ka përdorur të ardhurat nga aktivitetet e dyshuara, ashtu që nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik, ka përfituar mjete financiare në vlerë të përgjithshme prej 75.500 euro. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”.

I pandehuri Sh.B., ka pranuar në xhirollogarinë e tij bartjen e shumës prej 7.000 euro nga i pandehuri Sh.H., dhe këtë me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit së pasurisë së fituar nga aktivitetet e dyshuara nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik, si dhe automjetin BMW 120 D, viti i prodhimit 2008. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”.

I pandehuri A.M., ka pranuar në xhirollogarinë e tij bartjen e shumës prej 36,875.00 euro nga i pandehuri Sh.H., me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit të pasurisë, të fituar nga aktivitetet e dyshuara nga veprimtaria e kundërligjshme, konkretisht trafikimi me narkotik. Me këtë ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”.

I pandehuri B.B., nga 12.09.2016 ka në pronësi automjetin IMT 539, viti i prodhimit 2009 si dhe që nga data 12.09.2017 ka në përdorim automjetin Audi A4 2.7 TDI, viti i prodhimit 2008, e regjistruar ne emër të motrës së tij, e nga të gjeturat hetimore nuk ka prova se të njëjtat janë blerë si rezultat nga ndonjë aktivitet i rregullt ekonomik ose burim tjetër i ligjshëm i njohur, por nga të ardhurat e aktiviteteve të dyshuara – veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik. Me këtë ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”. /Kosova.info/