Aksidenti me 8 të vdekur në Shqipëri, drejtuesi i automjetit ishte një 24-vjeçar nga Shkodra

Është identifikuar shoferi i automjetit i cili është aksidentuar sot në Këlcyrë e nga i cili kanë mbetur të vdekur 8 persona, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.

Sipas Ora News, shoferi është Edison Bregaj. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion për identitetin 7 emigrantëve të paligjshëm që vdiqën pas aksidentit.

Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa sipas policisë, shoferi nga Shkodra ka shtuar shpejtësinë e mjetit, për t’i ikur patrullës së policisë që e kishte pikasur në këtë aks.

“Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç”, njofton policia.

Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Go to TOP