Kosova

AKR-ja në borxhe, mbi 3000 euro s’ia ka paguar një kompanie videon për Konventën Zgjedhore

Është sinonim i milionave, por, partia e Behgjet Pacollit, i ka mbetur mijëra euro borxh një kompanie video-produksioni.

Në tetor të vitit të kaluar, Aleanca Kosova e Re kishte nisur me zgjedhjen e organeve drejtuese të partisë dhe për organizimin e pjesës teknike të ngjarjes ishte angazhuar kompania Dasma TV.

Shërbimet për të cilat ishin angazhuar kompania ishin skenografia, monitorë LED në sallë, xhirimi dhe transmetimi i drejtpërdrejtë i ngjarjes, mbajtur në sallën e një hoteli të kryeqytetit.

Një gjë të tillë ia ka pohuar televizionit vetë drejtori i kësaj kompanie, Ramiz Vitia, i cili tha të kenë bashkëpunuar me AKR-në edhe në të kaluarën.

KTV-ja ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të AKR-së, Vesel Makolli, por i njëjti tha të mos jetë në dijeni për një gjë të tillë, pasi në këtë periudhë nuk ishte pjesë e organizimeve, që, sipas tij, ishin në kompetencë të Fatmir Matoshit.

Televizioni ka siguruar edhe biseda të brendshme të një grupi në Facebook, ku flitet për vonesat në pagesa në obligimet për këtë ngjarje.

Matoshi, bazuar në këto komunikime, shkruan t‘ia ketë paguar kompanisë në fjalë 2300 euro dhe një gjë të tillë e kishte bërë ‘me kabinet’ në Ministrinë e Mjedisit.

Megjithatë, Matoshi, në një bisedë telefonike, i ballafaquar me përmbajtjen e mesazheve, tha të mos jenë fjalët e tij e në një deklaratë me kamerë, mohoi të ketë përdorur fondet e ministrisë për të paguar borxhin, raporton KTV.

Bazuar në këtë mesazh, Matoshi ka shprehur gatishmërinë që edhe 1000 euro të tjera t’i mbledhin në MMPH, derisa porosit që për këtë të mos dëgjojë BP-ja, duke iu referuar Kryetarit, Behgjet Pacolli.

Në informata që ka televizioni, borxhe nga partia e Pacollit kanë mbetur edhe te hoteli ku është mbajtur ngjarja, por, të njëjtit, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguar para më shumë se dy javë.