Kosova

AKR ende në dilema, a do ta votojë Qeverinë Hoti dhe a do të jetë pjesë e saj?

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku i dha të drejtë Presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin, AKR deklaron se ende nuk e di nëse do të jetë pjesë e Qeverisë të udhëhequr nga LDK-ja.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, përfaqësuesi i AKR-së, Fatmir Matoshi i cili tha se si AKR e mbështesin formimin e kësaj qeverie.

Ai tha se sot ose nesër do të japin një përgjigje për këtë çështje, por siç tha ai AKR-ja e mbështet qeverinë e re.

“Nuk e di nëse do të jemi apo jo pjesë e qeverisë, besoj se sot gjatë ditës ose nesër do të ketë zhvillim në këtë aspekt. E mbështesim qeverinë e re, por nëse do të jemi apo jo pjesë e kësaj qeveria ende nuk e dimë”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka marrë vendim lidhur me çështjen e mandatarit Hoti, në të cilën ka konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate e kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë Thaçit për mandatarin Avdullah Hoti, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këtë vendim e kanë quajtur skandaloz. /Telegrafi/