SPORT

Akil Gjakova eliminohet nga Grand Slami i Budapestit

Akil Gjakova dhe Laura Fazliu nuk kanë arritur t’i sigurojnë Kosovës medalje në ditën e dytë të Grand Slamit të Budapestit në Hungari.

Që të dy janë eliminuar nga gara në luftërat e dyta që i patën.

Gjakova në kategorinë deri në 73 kg, e nisi mirë garën me fitoren me “Ippon” kundër gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvili. Megjithatë, 24-vjeçari nga Peja u mposht në takimit e radhës që e pati kundër Petru Pelivan nga Moldavia. Moldavi fitoi me Ippon. Gjakova një medalje të artë e ka në Grand Slamin e Parisit në vitin 2018, dhe një të argjendtë më Grand Slamin e Abu Dhabit, në po të njëjtin vit.

Laura Fazliu garoi në kategorinë deri në 63 kg. Njësoj si Gjakova, edhe Fazliu fitoi me Ippon në luftën e parë kundër serbes Anja Obradoviq. Në të dytën, humbi me Waza-ari nga hungarezja Szofi Ozbas.

Medalje deri tani në Budapest ka fituar vetëm Distria Krasniqi, që doli e para të premten.

Të dielën do të garojë edhe pjesëmarrësja e fundit nga Kosova, xhudistja tjetër që drejtohet nga Driton Kuka, Loriana Kuka.

Loriana do garojë në kategorinë deri në 78 kg.