SPORT

Ajeti mes West Ham Unitedit dhe West Bromwich Albionit

Brenda dhjetë ditësh, skuadra e Baselit pritet të zyrtarizojë largimin e sulmuesit Albian Ajeti që po kërkohet me ngulm në Angli.

Mediumet angleze, të hënën, kanë zbuluar se interesim për transferimin e Ajetit kanë shprehur West Ham Unitedi që bën gara në Premier League dhe West Bromwich Albioni që bën gara në Championship (kategoria e dytë angleze).

Të dy skuadrat e shohin sulmuesin 22-vjeçar, përforcim të duhur për edicionin e ri dhe po tentojnë që sa më shpejt të mbyllin marrëveshjen, pasi afati kalimtar në Angli do të mbyllet pasditen e datës 8 gusht. Për dallim nga Championshipi që nis këtë vikend me gara, edicioni 2019/20 në Premier League do të nisë javën e ardhshme. Si West Hami ashtu edhe WBA-ja, janë të gatshme të paguajnë dëmshpërblim deri në dhjetë milionë euro për Ajetin, transmeton Koha Ditore.

Kosovari që përfaqëson Zvicrën, në ndeshjen e fundit kampionale të Baselit nuk u aktivizua fare dhe zyrtarët e këtij klubi kanë lënë të hapur mundësinë e largimit të tij. Te Baseli kanë pranuar ofertat që kanë marrë për Ajetin, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2022.

“Ne po marrim vazhdimisht oferta për Ajetin që realisht edhe mund të largohet nga klubi këtë verë. Gjasat janë të mëdha për një largim, pasi klubi me siguri se nuk do të mundë të refuzojë ndonjë ofertë të mirë”, ka thënë Rudi Zbinden, drejtor sportiv i Baselit. “Aktualisht, në ekip kemi 29 lojtarë dhe ne duam këtë numër ta reduktojmë në 24 sosh. Kështu që, po presim se çfarë do të ndodhë gjatë këtyre ditëve. Kjo edhe është arsyeja që kemi transferuar në sulm Kemal Ademin dhe kemi rikthyer nga huazimi Afimico Pululun”.

Ajeti në këtë edicion ka startuar shumë mirë, duke shënuar dy gola dhe asistuar po aq herë në dy paraqitje deri më tash te Baseli. Trajneri i WBA-së, kroati Sllaven Biliq, që ka për synim rikthimin e ekipit në Premier League, e ka Ajetin në krye të listës së tij të dëshirave. Me gjithë kërkesën e lartë ekonomike të futbollistit, WBA-ja po mundohet t’ia sjellë Biliqit Ajetin.

“Kemi nevojë për një sulmues dhe pres që shumë shpejt të veprojmë, pasi nuk ka edhe shumë kohë përpara se afati kalimtar të mbyllet. Na duhet dikush për të shënuar gola, pasi në Championship është shumë vështirë”, ka thënë Biliq për mediumet angleze.

Edhe te West Hami, trajneri Mauricio Pellegrini e pëlqen Ajetin, pasi skautët e ekipit nga Londra kanë dhënë referenca të mira për sulmuesin, të cilin e kanë përcjellë në dy paraqitjet e tij këtë edicion nga afër.

“Sulmuesi i ri ka të gjitha karakteristikat që i kërkon West Hami, pasi ka shkëlqyer edicionin e shkuar dhe këtë edicion e ka nisur mirë. Por konkurrencë për Ajetin ka krijuar edhe WBA-ja, pavarësisht se lojtari ka kërkuar pagë të madhe”, ka shkruar sajti anglez “VitalFootball”.

Edicionin e shkuar, Ajeti ka shënuar 21 gola dhe ka bërë 11 asistime në 43 paraqitje në të gjitha garat. Ai gjithashtu vitin e shkuar debutoi edhe me Përfaqësuesen e Zvicrës për të cilën deri më tash ka shënuar një gol në shtatë ndeshje. Ajeti si futbollist është zhvilluar te Baseli, kurse karrierë ka bërë edhe tek Augsburgu e St. Galleni. Ai është vëllai i dy futbollistëve të tjerë, Arlind e Adonis Ajeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.