Kombëtare

Aida Lleshi akuzon kryetarin Gjini se punësoi familjarë të tij në vend të saj

Aida Lleshi nga Gjakova, për të dytën herë ka marrë përgjigje negative, në një konkurs për vend pune.

Ajo ka aplikuar që të punësohet si asistente e Stomatologjisë, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Ponoshec dhe Brekoc, raporton KTV.

Ndonëse ka arritur ta kalojë me sukses testin, me mbi 85 pikë, ajo nuk ka arritur të punësohet.

Në vend të saj, si kandidate më të suksesshme janë zgjedhur Yllka Kastrati-Përtershoni dhe Florentina Shehu-Kastrati.

Lleshi thotë se Yllka Kastrati është vajza e tezes së kryetarit të Gjakovës, përderisa Florentina Shehu është vajza e axhës së drejtoreshës së Shëndetësisë në këtë komunë, Adelina Shehu.

Lleshi, e dëshpëruar me nepotizmin në institucionet publike, thekson se ka bërë disa herë ankesa, të cilat nuk i janë marrë parasysh.

Madje, drejtoresha e Shëndetësisë, i pati premtuar se në konkurse të tjera do ta ketë parasysh suksesin e Aidës.

KTV-ja ka provuar ta marrë një përgjigje nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, se a ka pasur ndikim në punësimin e familjares së tij si asistente e Stomatologjisë, por ai nuk është përgjigjur, ndonëse e premtoi një gjë të tillë.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë, Adelina Shehu, posa e ka kuptuar se ekipi i KTV-së është duke trajtuar këtë temë, e ka fikur telefonin.

Madje, Shehu nuk është gjetur as në vendin e saj të punës për t’u përgjigjur nëse ka përdorur ndikimin e saj për punësim të vajzës së axhës si asistente e Stomatologjisë.