Kosova

Ahmeti: Unë seriozisht besoj që Kurti synon të bëhet kryeministër i Shqipërisë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, synon të bëhet kryeministër i Shqipërisë.

Sipas tij, Kurti nuk po e synon postin e kryeministrit të Kosovës, por Kosovën e sheh si mundësi për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë.

“Unë mendoj se Albini nuk e ka synim Kryeministrinë e Kosovës, unë seriozisht e besoj. Unë mendoj se ai e sheh Kosovën si dërrasë për të kërcyer dhe për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë”, ka thënë Ahmeti në T7.

Ai tha se Vetëvendosja synon pushtetin në Shqipëri dhe jo atë në Kosovë.

Ahmeti ka thënë po ashtu se fitorja e tij në Komunën e Prishtinës ishte njëra ndër arsyet pse ai u largua nga Vetëvendosja.

Ai deklaroi se Kurtit i lindën dyshime që ai mund të kandidonte për kryetar të Vetëvendosjes dhe pikërisht për këtë arsye, sipas tij, gjërat eskaluan deri në ndarje.

“I thashë Albinit “seni më i keq që t’ka ndodh ka qenë fitorja ime në Prishtinë. Unë i kisha garantuar atij se kurrë nuk do të kandidoja për kryetar. Por, njerëzit kishin filluar të mendonin se pasi fitova unë në Prishtinë ndoshta edhe Vetëvendosje në nivel vendi nuk mund të fitojë me Albinin”.