Tjera

Ahmeti premton ndihmë në teste e ilaçe për të prekurit me COVID-19 në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka premtuar se komuna do të ndihmojë të prekurit me COVID-19.

Ai të martën vizitoi Qendrën e Mjekësisë Familjare në Emshir, ku po marrin trajtim të gjithë të prekurit e Komunës së Prishtinës që nuk kanë nevojë për hospitalizim.

Sipas Ahmetit, nga biseda me pacientët ka marrë tri ankesa kryesore: Pritjen e gjatë për të marrë shërbime, pastaj për çmimet e larta në laboratorët privatë për të kryer testet dhe për çmimet e larta të terapisë.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ankesa e parë i përket komunës dhe se do të rregullohet me angazhim të stafit shtesë, por dy të tjerat i përkasin nivelit qendror. Megjithatë ka premtuar ndihmë edhe në këto çështje, për të zbutur koston e pacientëve të prekur me COVID-19.

“Kam udhëzuar Drejtorinë e Shëndetësisë që krejt buxhetin që e ka për mallra e shërbime ta drejtojë në blerjen e barnave që qytetarët po paguajnë këto ditë për COVID, infuzione, antibiotikë e kortikosteroidë në mënyrë që të zbusim sado pak koston për qytetarët e Prishtinës. Nuk mund të presim nga niveli qendror sepse ka shumë më shumë përgjegjësi momentalisht. Po ashtu po shohim mundësinë që përkohësisht të bëjmë disa teste laboratorike që nuk i kemi në kompetencë vetëm e vetëm që të mundësojmë shërbim falas. Kemi përgatitur edhe planin emergjent për ndihmë bazike shëndetësore në një ambient mobil me 200 shtretër. Njëherë për njëherë nuk ka nevojë, sepse po i shtojmë të gjitha dhomat në Kalabri. Kemi nevojë për staf dhe mjete. E përkundër ndalesave burokratike nuk guxojmë të ndalemi”, ka shkruar Ahmeti.