EKONOMI

Hoti: Trepça ka nevojë për mbështetjen tonë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, takoi menaxhmentin dhe bordin e Trepçës, me të cilët bisedoi për situatën në të cilën po kalon kjo ndërmarrje e rëndësisë strategjike për ekonominë e Kosovës.

“Ka kaluar nëpër një periudhe të vështirë, kryesisht si rezultat i  zhvillimeve në tregjet financiare ndërkombëtare dhe në pamundësi që të depërtohet dhe të shiten produktet e Trepçës në ato tregje. Tash ngadalë po përmirësohet situata”, nënvizoi kryeministri Hoti.

Ai e përgëzoi bordin dhe menaxhmentin për veprimet që i kanë ndërmarrë në veçanti në tre muajt e fundit, për të stabilizuar gjendjen dhe për të rritur prodhimin. Kryeministri Hoti vlerësoi se, viti 2020 ka qenë ndër vitet më të suksesshme sa i përket prodhimit në Trepçë.

“Besoj se me përmirësimin e tregjeve  financiare ndërkombëtare, në tregjet përkatëse ku shiten  produktet e Trepçës, shpejt kjo kompani do ta merr vetën, por tani duhet ta mbështesim”, tha kryeministri Hoti.

Gjatë qëndrimit në Trepçë, Kryeministri Hoti vizitoi flotacionin e mineraleve në tunelin e parë ku bëhet përpunimi i xehes, nga ku  përfitohet koncentrati i plumbit dhe zinkut. /Kosova.info/