SPORT

Agjenti dhe drejtori i Bremenit zbulojnë të ardhmen e Rashicës

Milot Rashica do të qëndrojë në Werder Bremen të paktën deri në fund të këtij sezoni, pasi që agjenti i tij, Altin Lala, dhe drejtori sportiv i klubit gjerman, Frank Baumann, e kanë hedhur poshtë mundësinë e largimit të tij gjatë afatit kalimtar të janarit.

Paraqitjet mbresëlënëse të Milot Rashicës me Kombëtaren e
Kosovës dhe me Werder Bremenin kanë ndikuar që shumë klube të interesohen për
transferimin e 23-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të janarit, transmeton Gazeta
Express.

Ndër klubet më të mëdha të Evropës që është raportuar se po
e vëzhgon situatën e Rashicës në Bremen është gjiganti italian, Milan. Mirëpo,
agjenti i yllit kosovar, Altin Lala, e ka përjashtuar mundësinë që klienti i
tij të largohet nga klubi gjerman në janar.

“Ndoshta ata janë të interesuar, por largimi gjatë dimrit është
i pamundur”, ka thënë Lala, në një deklaratë të dhënë për gazetën e madhe
sportive në Gjermani, Kicker.

Drejtori sportiv i Bremenit, Frank Baumann, gjithashtu e bën
të qartë se Rashica do të qëndrojë në skuadrën e tij deri në fund të sezonit,
mirëpo është i vetëdijshëm se klubi mund të mos mundet ta mbajë kosovarin deri
në fund të karrierës së tij.

“Hapi i tij i radhës do të vijë në ndonjë pikë, mirëpo përfundimisht
jo këtë dimër”, ka thënë Baumann.

Rashica i ka bërë tetë paraqitje për Bremenin këtë sezon,
duke i regjistruar gjashtë gola dhe dy asiste. Kontrata e tij me gjermanët është
e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published.