Kosova

Agim Veliu: Bëfsh hajr Shpejtim, që i paske heq plumbat dhe e paske rrokë bishtin e sakicës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka reaguar pas një deklarate të kandidatit për kryetar komune të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili në një video dëgjohet duke ftuar që kundërshtarët të goditen me bisht sakice.

Veliu i ka quajtur skandaloze deklaratat e kandidatit të LVV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Bëfsh hajr Shpejtim, që i paske heq plumbat dhe e paske rrokë bishtin e sakicës. Të dashtun qytetarë,Është skandaloze që një bashkëvendas i imi, i Enverit e Xhemës, në prani të një ish-Kryeministri, përdorë diskurs të nxitjes së vëllavrasjes.Neve, nuk na ndalën as plumbat, e nuk do të na ndalin as bishtat”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, Veliu ka shkruar ” I ftoj llapjanët që masivisht ta ndëshkojnë me votë këtë soj”.

Reagimi i Veliut vjen pasi Bulliqi, i cili është kandidat i VV-së për kryetar të Podujevës, në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, dëgjohet në një ndejë teksa në prezencë të Kurtit ka ftuar që kundërshtarët të goditen me bisht sakice. “Naj kujt që punon mbrapsht edhe naj bisht sakice me ja dhon mas shpine bon”, kishte thënë Bulliqi, teksa ishte duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në Podujevë.