Rajoni

Afrim Gashi: Pendarovski është kandidat që na përfaqëson të gjithëve

Në një intervistë për portalin “Plusinfo”, Afrim Gashi, kryetari i partisë Alternativa, thotë se kandidati për kryetar shteti, Stevo Pendarovski është një kandidat që “na përfaqëson të gjithëve”.

Ai deklaron se nuk do ta mbështetin Blerim Rekën sepse te kandidatura e Pendarovskit shohin përfaqësuesin e të gjithëve, dhe se vlerësojnë se është koha e fundit që pozitat më përgjegjëse të shtetit të shihen nga aspekti cilësor, e jo vetëm nga ai etnik.

Në lidhje me procesin gjyqësorë për të dënuarit e 27 prillit, Gashi mban qëndrimin se Abdulfeta Alimi është i dënuar padrejtësisht, ndërkaq nuk deklarohet rreth votimit të mundshëm për marrjen e imunitetit të Menduh Thaçit, i dënuar për parregullsi zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Në këtë intervistë, Gashi flet edhe për ribredimin e partisë që ai udhëheq, që doli si rezultat i përçarjes së Lëvizjes Besa. Në lidhje me partinë, ai shprehet se subjekti i ri politik e përfaqëson thelbin dhe autenticitetin e përcaktimit programor të partisë paraprake, e që tani është pastruar dhe e ka derën e hapur për të gjitha bashkësitë.

Në lidhje me të ardhmen e shtetit, Afrim Gashi shprehet se kjo e ardhme bazohet në ndërtimin e elementeve kohezive në shoqëri, e jo në ndasi, disriminim, urrejtje dhe forma tjera të elementeve negative dhe shkatërruese.

Ai kërkon që t’i jepet fund urrejtjes dhe ndasive, dhe se koha është që të sillemi me dinjitet, kulturë, si evropianë dhe të civilizuar, për të ndërtuar shoqëri ku secili qytetarë të ketë mirëqenie, të ketë cilësi në arsim, shëndetësi, jetë të shëndoshë dhe mjedis të pastër, duke përmbyllur se kjo është alternativa që partia e tij e ofron.